Zhgënjen ankandi i pasurive të Maradonës

Futboll

Zhgënjen ankandi i pasurive të Maradonës

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 12:49
Zhgënjen ankandi i pasurive të Maradonës

Ankandi i pasurive të Diego Maradonës, i zhvilluar dje online me urdhër të gjyqtares Luciana Tedesco për të paguar borxhet e ish-kampionit argjentinas, i cili vdiq nga arresti kardiak më 25 nëntor 2020, nuk pati suksesin e shpresuar.

Sipas përllogaritjeve të agjencisë së lajmeve AFP, operacioni solli vetëm 26 mijë dollarë (rreth 23 mijë euro), me asete të pashitura mbi 1.4 milionë dollarë. Ishin rreth 90 lote në shitje, por më të mëdhenjtë, si një vilë në Buenos Aires, që Maradona e kishte blerë për prindërit e tij, nuk morën asnjë ofertë.

Një zhgënjim, edhe pse mbi 1.500 blerës të mundshëm nga Italia, Amerika e Jugut, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Emiratet ishin regjistruar për të marrë pjesë në ankand, i cili zgjati vetëm tri orë e gjysmë, thanë organizatorët.

Oferta më e lartë ishte për një pikturë të Maradonës, të titulluar “midis Fioritos dhe qiellit”, vepër e artistit Lu Sedova, e cila u shit për 2.150 dollarë. Një fotografi e Maradonës me ish-udhëheqësin kuban Fidel Castro u ble nga dikushi prej Dubai për 1600 dollarë. “Ankandet janë kështu, nuk mund ta dish rezultatin derisa të mbarojnë, – komentoi organizatori, Adrian Mercado. – Ne prisnim shumë, por realiteti është se rezultati përfundimtar mbetet gjithmonë i panjohur”.

Ndër pjesët më të vlefshme të pashitura, përveç vilës së Buenos Aires, e cila vlerësohej 900.000 dollarë, është edhe apartamenti në resortin “Mar del Plata” (me vlerë 65.000 dollarë), dy makina BMW (me vlerë 390.000 dollarë) dhe një furgon “Hyundai” (me vlerë 38.000 dollarë).

Mes loteve të tjera të vogla që u blenë dje ishte një pikturë e Marilyn Monroe, e blerë nga një argjentinas për 1500 dollarë, një fanellë e Napolit me numrin 10 në anën e pasme, gjithashtu e blerë për 1500 dollarë, si dhe një kuti purosh kubane e blerë për 550 dollarë. Gjykata tani do të duhet të vendosë se çfarë të bëjë me mallrat e pashitura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat