Telashe pafund për PSG-ën

Futboll

Telashe pafund për PSG-ën

Më: 27 mars 2022 Në ora: 17:07
Telashe pafund për PSG-ën

Marquinhos dhe Paris Saint-Germain janë ende larg, me mbrojtësin, i cili ende nuk është bindur nga kushtet e klubit për të rinovuar. Mbrojtësit 27-vjeçar i skadon kontrata aktuale në verën e vitit 2024, por për momentin, në horizont, nuk ka asnjë shenjë që ky afat të ndryshojë.

Kjo për shkak se klubi dhe braziliani kanë pretendime të ndryshme dhe të kundërta, me mbrojtësin i cili kërkon të përmirësojë kushtet e kontratës aktuale, ndërsa parizienët, deri më tani, kanë refuzuar kërkesat e tij, duke i ofruar vetëm një zgjatje të kontratës, ndërsa termat financiarë do të pësojnë vetëm një rritje të vogël.

Një moment jo i mirë, kjo jo vetëm për faktin se Marquinhos nuk po rinovon, por duket se zhgënjimet në arenën europiane, kanë bërë që shumë lojtarë të humbasin durimin dhe besimin te PSG-ja. Pas eliminimit në Champions League, qarkullojnë shumë zëra se kampionët e Francës do të pësojnë ndryshime rrënjësore në organikë, duke nisur nga Mbappe, por gjithashtu edhe Messi është i pakënaqur si një pjesë e mirë e lojtarëve titullarë.

Një problem i ri, pikërisht rinovimi i Marquinhos, i cili është një lider në repartin e mbrojtjes dhe nëse nuk rinovon deri në maj, klubi është i detyruar të shqyrtojë ofertat, pasi në rast të kundërt rrezikon ta humbasë me një çmim shumë herë më të lirë, apo me parametra zero.

Ofertat për brazilianin nuk kanë munguar dhe tani, me kampionatin pothuajse të mbyllur (+12 pikë nga vendi i dytë), jashtë Europës, Marquinhos do të fokusohet te ardhmja e tij dhe nëse kushtet e tij nuk plotësohen, “divorci” do të ndodhë shumë shpejt.

Marquinhos, kartoni i të cilit vlen 80 milionë euro, po luan sezonin e nëntë në Paris dhe numëron 355 prezenca dhe 34 gola të shënuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat