Edmond Rugova: Kosova ka fëmijë mjaft të talentuar

Futboll

Edmond Rugova: Kosova ka fëmijë mjaft të talentuar

Më: 16 qershor 2022 Në ora: 14:11
Edmond Rugova: Kosova ka fëmijë mjaft të talentuar

Në kuadër të programit “Elite Youth Development”, është bërë përzgjedhja e futbollistëve të gjeneratës 2008, të cilët do ta përfaqësojnë Kombëtaren U15 për dy miqësoret me Shqipërinë U15, të cilat do të zhvillohen gjatë kësaj jave.

Futbollistë nga të gjitha regjionet në Kosovë kanë marrë pjesë në turnetë përzgjedhës, që kryesisht janë mbajtur në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, e ku përzgjedhësi i Kombëtares U15, Ilir Nallbani, së bashku me stafin e tij ka qenë në vazhdimësi pjesë e procesit.

Qëllimi i këtij projekti gjithmonë është të krijohet baza me talentë për Kombëtaren U15, por edhe ekipeve tjera zinxhirë të kombëtares dhe zhvillimi i tyre individual.

Image

Aktivitetet e fazës së parë për gjeneratën 2008 në këtë projekt përmbyllen në fund të këtij muaji për shkak të pushimeve të verës, teksa ato vazhdojnë në fillim të muajit gusht. Ndërkaq, në shtator do të nisë aktiviteti për gjeneratën 2009 po ashtu në Kampin Nacional në Hajvali.

Menaxheri i këtij programi Edmond Rugova është shprehur jashtëzakonisht i lumtur me talentet që ka Kosova.

“Nga eksperienca ime në Amerikë dhe në shumë vende tjera të Evropës, kam ardhur në përfundim se Kosova ka fëmijë mjaft të talentuar, të cilët me përkushtimin dhe seriozitetin më të madh punojnë për t’u zhvilluar në futbollit.

Jam shumë krenar me gjeneratat e reja, me punën që ata po bëjnë dhe dëshirën për t’u bërë futbollistë të mëdhenj, të cilët në të ardhmen do ta përfaqësojnë Kosovën.

Jam falënderues edhe ndaj stafit të këtij projekti, i cili ka punuar pa hezitim vetëm që ky projekt të rezultojë i suksesshëm në identifikimin dhe përzgjedhjen e talenteve të rinj”, ka theksuar Rugova.

Ai ka treguar se tashmë është përmbyllur me sukses edhe projekti i gjeneratës 2007, ku nga 7 regjionet janë përzgjedhur nga 23 futbollistë më të talentuar në secilën pozitë, e të cilët do t’i ketë nën vëzhgim përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arsim Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat