Kualifikimi mund të jetë në dorën e tij

Futboll

Kualifikimi mund të jetë në dorën e tij

Më: 13 korrik 2022 Në ora: 17:46
Kualifikimi mund të jetë në dorën e tij

Laçi bëhet gati për të udhëtuar drejt Malit të Zi, aty ku nesër në orën 21:00 do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Iskra Danilovgrad.

Ashtu si në takimin e parë ku kurbinasit ishin pritës në “Elbasan Arena”, edhe kundërshtari i tyre, Iskra, do të luajë në një fushë asnjanëse, pikërisht në stadiumin e Podgoricës, “DG Arena Ljeskopolje”.

Sot bardhezinjtë do të udhëtojnë me autobus drejt kryeqytetin malazez, pasi bëhet fjalë për një distancë prej vetëm 160 kilometrash nga Tirana. Kësisoj, afërsia gjeografike ua lehtëson shumë udhëtimin kurbinasve, që kanë luksin të jenë në stadiumin ku do të luhet ndeshja për maksimumi tri orë pas nisjes me autobus.

Trajneri Duro ka qenë i shqetësuar për repartin e mesfushës, aty ku pas dëmtimit të Klinti Qatos, alternativat janë shumë të pakta. Së fundmi është afruar edhe mesfushori Mario Bajramaj, i cili vjen pas aktivizimit te Bylisi dhe Tomori. Mirëpo, ata që i japin garanci trajnerit për formacionin janë vetëm Serxho Ujka dhe Sebastjan Spahiu, të cilët gjithsesi më tepër kanë tipare ofensive, prandaj edhe në këtë moment, Duro e vuan shumë mungesën e një mesfushori tipik shkatërrues.

Për sulmuesin nga Mali, Saliu Guindo, mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën bardhezi. Golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar ka një ofertë joshëse nga Hungaria dhe te Laçi mund të fërkojnë duart, pasi do të përfitonin në rast transferimi. Klubi kurbinas ka raportuar se e ka rinovuar kontratën me sulmuesin, prandaj edhe tashmë pret oferta zyrtare për ta shitur.

Edhe pse nuk ka ende diçka të konfirmuar, “Panorama Sport” mëson se një prej klubeve që interesohet më tepër për Guindo është klubi kampion i Hungarisë, Ferencvarosh. Gjithsesi, kjo do të shikohet në vazhdimësi dhe një vendim konkret nga klubi dhe lojtari do të merret pas ndeshjeve në Ligën e Konferencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat