Josa bën plane pa Liridon Latifin

Futboll

Josa bën plane pa Liridon Latifin

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 18:53
Josa bën plane pa Liridon Latifin

Vllaznia zhvilloi për 15 ditë një minifazë për gatitore në Austri, aty ku zhvilloi edhe katër ndeshje miqësore. Ka qenë një periudhë që ka vlejtur shumë për trajnerin Mirel Josa në prag të ballafaqimit në turin e dytë të Ligës së Konferencës me Universitatea Kraiovën, teksa ndeshja e parë luhet më 21 korrik në Shkodër.

Për stafin teknik ka qenë shumë e rëndësishme që lojtarët në këto dy javë ngarkesa nuk kanë pasur probleme fizike, me përjashtim të të riut Eraldo Deda, i cili u dëmtua. Mirëpo, problemi më i madh ka qenë me Liridon Latifin, i cili humbi thuajse tri javë stërvitje me ekipin dhe iu bashkua vetëm në fillim të korrikut. Pas problemeve shëndetësore, kosovari iu rikthye stërvitjes në Austri dhe po bën maksimumin e tij me një program special për të kapur ritmin.

Mirëpo, “Panorama Sport” mëson se mungesa e gjatë në stërvitje ka lënë pasoja te lojtari dhe ana e tij fizike është shumë larg asaj që kërkohet aktualisht nga stafi. Mësohet se Latifi nuk është ende në formën që mund të marrë minuta në ndeshjen e parë ndaj Universitatea Kraiovës. Edhe pse ai ka luajtur si zëvendësues në dy miqësoret e fundit të Vllaznisë në Austri, burime pranë stafit tregojnë për gazetën se Josa nuk e ka në plane lojtarin për ndeshjen e parë.

Gjendja e tij fizike kërkon kohë për të qenë aty ku duhet, prandaj dhe nuk do të rrezikohet me aktivizimin e Latifit ndaj rumunëve, të paktën për ndeshjen e 21 korrikut. Një mungesë e tillë është tejet e rëndësishme për Vllazninë, duke pasur parasysh cilësitë e sulmuesit nga Prishtina. Gjatë miqësoreve të luajtura në Austri, Josa ka provuar vazhdimisht pesë lojtarë në vijën e parë, pikërisht Krujën, Hoxhën dhe Çobën nga krahët e sulmit, si dhe Aralicën e Kainën në qendër. Mbetet për t’u parë se cili nga këto tre emra do ta nisë nga minuta e parë më 21 korrik.

Një alternativë për sulmin është edhe Kristjan Vulaj, i cili e nisi me gol aventurën te Vllaznia. Mirëpo, ajo që duket se step Josën në prag të ndeshjes së parë është gjendja fizike e lojtarit nga Tuzi. Ai nuk është në 100% të formës, prandaj dhe trajneri nuk e provoi si titullar në Austri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat