Alaba i befason të gjithë

Futboll

Alaba i befason të gjithë

Më: 6 shtator 2022 Në ora: 12:09
Alaba i befason të gjithë

Pas viteve të tij me Bayern Munich, më 2021 austriaku vendosi të transferohej te Real Madridi, me të cilin sezonin e kaluar ngriti Champions League e tretë të karrierës. Një karrierë që nisi edhe falë babait të tij, i cili ka qenë gjithmonë shumë i afërt me Alaba:

“Unë kam një marrëdhënie shumë të ngushtë me babain. Ai i ka parë të gjitha ndeshjet që kam luajtur në shtëpi, që kur kam qenë 17 vjeç. Pas çdo ndeshjeje jashtë, ai është personi i parë që telefonoj në autobus. Flasim se si kam luajtur, ai më thotë sinqerisht atë që mendon. Të nesërmen më dërgon lloj-lloj statistikash, të cilat pastaj i diskutojmë me detaje”.

I njëjti baba i përcolli një pasion të madh: atë për muzikën, pasi zoti George Alaba është DJ: “Unë shkoja ta shihja shpesh. Ndonjëherë në prapaskenë, herë në anën e skenës, ndonjëherë në audiencën e radhës së parë.

Performanca e tij në ‘Donauinselfest’ në Vjenë (festivali më i madh në Vjenë) ishte shumë e veçantë. Isha i çmendur për të parë sa njerëz e shikonin babain tim. Jam rritur me muzikë, është pjesë shumë e rëndësishme e familjes sime.

Qysh fëmijë kemi dëgjuar muzikë 24/7, si në apartament, edhe në makinë. Kam ëndërruar për një karrierë si këngëtar, por shpejt e kuptova që nuk do të ndodhte. Ashtu si muzikën, e kam dashur edhe futbollin që në fillim”.

Alaba më pas zbulon emrat e atyre që flasin më shumë në fushë mes lojtarëve me të cilët ka luajtur: “Müller është i pari, ndoshta ai mund të luajë me Danten. Kur luaja në mbrojtje, në të majtën e tij, ai gjithmonë më ka mbështetur. Kam mësuar shumë prej tij”.

Mbrojtësi austriak më pas fokusohet te dallimet mes presidentit të Real Madridit, Florentino Perez dhe Uli Hoenes: “Të dy janë personalitete të shkëlqyera, që jetojnë për klubin e tyre. Dhe të dy duan të jenë afër skuadrës. Florentino Perez vjen në dhomat e zhveshjes pas çdo ndeshje dhe ndonjëherë pas stërvitjes për të biseduar me ne lojtarët. Uli Hoenes bën të njëjtën gjë. Për ta është e rëndësishme të dinë se si ndihen lojtarët”.

Alaba më në fund rrëfen se simpatizon një ekip të caktuar, edhe pse nuk ka luajtur kurrë atje: “Po, më pëlqen Galatasaray. Si fëmijë kam luajtur çdo ditë në një fushë futbolli në Vjenë. Kam pasur shumë miq turq dhe atje janë tri opsione: Galatasaray, Besiktas, Fenerbahce. Zgjodha Galatasaray-in relativisht herët. Nuk e mbaj mend pse… Gjithmonë i kam parë derbet e Stambollit me miqtë e mi të Galatasaray”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat