Bradley “e kërcënon” Kosovën

Futboll

Bradley “e kërcënon” Kosovën

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 12:20
Bradley

Irlanda e Veriut nuk e ka shijuar ende fitoren në Ligën e Kombeve.

Kjo Kombëtare do t’i zhvillojë këtë fund-muaji dy ndeshjet e fundit të kësaj kampanje, ndaj Kosovës këtë fundjavë dhe kundër Greqisë në fillim të javës që vjen.

Conor Bradley, futbollist i Liverpoolit, aktualisht i huazuar në Bolton, insiston se është koha e duhur që veri-irlandezët ta shijojnë fitoren e parë në këtë kampanjë në Ligës së Kombeve.

Irlanda e Veriut është e vendosur t’ju shmanget humbjeve në dy ndeshjet e fundit, në mënyrë që të mos bie nga Liga C.

Aktualisht, kjo Kombëtare i ka 2 barazime e 2 humbje në Grupin 2.

Këtë të shtunë, Irlanda e Veriut e pret Kosovën në Belfast dhe beson se më në fund do ta shijojë fitoren, duke i dhënë fund serisë së zezë të rezultateve.

“Ju mund ta shihni se gjërat po përmirësohen dhe paraqitjet po bëhen më të mira. Shpresojmë që edhe rezultatet të arrijnë me këto. Ne ishim të dëshpëruar në qershor. Ndienim se mund të bënim më mirë”, deklaroi fillimisht 19 vjeçari.

“Por, ne jemi ende pozitivë dhe na janë kthyer disa lojtarë. Prandaj, kemi besim se mund t’i nxjerrim dy rezultate pozitive nga ndeshjet e shtatorit. Ne jemi pozitivë dhe optimistë për ndeshjen e së shtunës (ndaj Kosovës). Ne besojmë se mund ta bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta marrim rezultatin që e duam. Ne vetëm duhet të vazhdojmë të punojmë fort dhe besojmë në ato që po i bëjmë”, përfundoi Bradley, i cili ishte pjesë në tri ndeshje të qershorit me Kombëtaren e tij,.

Irlanda e Veriut do ta mbyllë eksperiencën e këtij edicioni të Ligës së Kombeve me ndeshjen ndaj Greqisë javën tjetër, e Kosova do ta presë Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri” të martën që vjen.

Aktualisht, Kosova është e dyta në tabelë me 6 pikë, prej tyre 2 fitore e 2 humbje, kurse Irlanda e Veriut e treta me 2 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat