Një “Eriksen” edhe në parket

Futboll

Një “Eriksen” edhe në parket

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 11:53
Një “Eriksen” edhe në parket

Bota e futbollit u trondit verën e shkuar, kur Kristian Eriksen u lëkund midis jetës dhe vdekjes, për t’u rikthyer sërish në jetë, gjatë ndeshjes së parë të Danimarkës në fazën e grupeve të Evropianit kundër Finlandës.

Ajo që u lëvdua atëherë ishte reagimi i shpejtë i ekipit mjekësor në stadium, që i shpëtoi jetën futbollistit. Dhe një episod i ngjashëm ka ndodhur ditët e fundit edhe në parketin e volejbollit, teksa lojtari i ri belg, Martin Perin, pësoi një atak kardiak gjatë një ndeshjeje miqësore me skuadrën e tij.

Në fakt, ngjarja ka shkaktuar panik në parket gjatë miqësores midis Grinjard Ma’aseik dhe Lindemans Aalst, teksa volejbollisti i skuadrës vendase, Perin, papritur humbi ndjenjat. 19-vjeçari, libero titullar i përfaqësueses së Belgjikës, ra përtokë papritur, por shumë shpejt u bë e qartë që gjendja ishte serioze. Për fatin e mirë të Perinit, ai u shpëtua vetëm falë aftësive të gjyqtarit të   ndeshjes, që rastisi të ishte një zjarrfikës me përvojë.

Ky i fundit i bëri frymëmarrje artificiale volejbollistit, ndërsa në lojë ka hyrë edhe defribilatori, që është përdorur me efikasitet, duke e rikthyer të riun në jetë. Më pas Perin është dërguar në spital, aty ku është në gjendje të qëndrueshme dhe pritet të dalë që andej së shpejti.

Mbetet për t’u parë nëse volejbollisti i ri belg do të kthehet sërish në parket, ashtu sikundër ka bërë edhe Eriksen, i cili sidoqoftë luan pasi i është vendosur në zemër një defribilator i vogël që i jep zemrës impulse elektrike në rast të ndalimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat