Prishtina synon fitoren e radhës! Belica: Atmosfera në ekip është shumë e mirë

Futboll

Prishtina synon fitoren e radhës! Belica: Atmosfera në ekip është shumë e mirë

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 23:17
Belica

Skuadra e Prishtinës ndeshjen e radhës në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll e zhvillon të shtunën (22 tetor) ndaj FC Llapit.

Sfida në fjalë i takon xhiros së 13 të elitës së futbollit të Kosovës dhe luhet të shtunën me fillim nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Prishtina në ndeshjen e parë të këtij kampionati e ka mundur Llapin në udhëtim me shifrat 2:1 në takimin e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Ekipi “bardhekaltër” i drejtuar nga Ismet Munishi në dy ndeshjet e fundit ka arritur fitore ndaj Ferizajt dhe Dritës teksa pikët e plota synohen edhe ndaj llapjanëve sipas mbrojtësit Egzon Belica, i cili para ndeshjes foli për faqen zyrtare të klubit.

"Ndeshjen kundër Llapit e vlerësojmë maksimalisht. Do të jetë një përballje e fortë dhe pritet mjaft e luftuar nga të dyja palët. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për neve që t'i bashkangjitemi dy ekipeve të para në tabelë. Llapi e ka një skuadër shumë cilësore, por ne i dimë kualitetet tona dhe do të mundohemi që t'i arrijmë pikët maksimale.

Prishtina edhe në ato ndeshje që nuk ka arritur fitore ka treguar lojë të cilësore, por që ka munguar efikasiteti. Me dy fitoret e fundit është rritur besimi. Siç ka ndodhur edhe në ndeshjet e tjera, edhe në këtë takim do të futemi për pikët maksimale pasi që edhe luajmë në terrenin vendas.

Atmosfera në ekip është shumë e mirë sepse edhe fitoret na kanë çliruar së fundmi. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë sepse kampionati shumë i luftuar dhe duhet t'u qasemi ndeshjeve me shumë seriozitet.

Shpresoj se do të jenë në numër sa më të madh sepse edhe tifozët e dinë se sa të rëndësishëm janë për neve. Tifozët janë një “armë shumë e fortë” e jona, një motivim ekstra. Shpresoj se me lojë dhe me rezultat të mirë t'i shpërblejmë për përkrahjen që po na japin në çdo ndeshje", thotë Belica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat