Sportistet “ilegale” të Afganistanit

Futboll

Sportistet “ilegale” të Afganistanit

Më: 12 janar 2023 Në ora: 12:57
Sportistet “ilegale” të Afganistanit

Që kur u kthyen në pushtet në gushtin e vitit 2021, talibanët i kanë ndaluar sportet për gratë sportiste, si pjesë e një ashpërsimi të kufizimeve, të cilat e kanë vështirësuar jetën e tyre të përditshme.

Nga frika e ndëshkimit, këto gra kanë pozuar për portrete, me burka dhe me pajisjet e sporteve që ato i duan, por të cilat zyrtarisht ndalohen t’i ushtrojnë.

1. Një ekip afgan i futbollit të grave duke pozuar për një portret në Kabul. Gratë dhe vajzat duhet të fshehin identitetet e tyre me burka – veshje që tërësisht mbulon trupin dhe fytyrën, duke lënë vetëm një hapësirë të rrjetëzuar për të shikuar – teksa ato përballen me frikësime, kërcënime dhe, në disa raste, me rrahje nga vetë familjarët e tyre për shkak se merren me sporte.

2. Një luftëtare afgane e arteve të përziera luftarake me trofetë e saj në Kabul. Një grua e re, e cila ka pësuar rrahje nga nëna e saj dhe është përbuzur nga fqinjët e saj, ka ngelur e shpartalluar. “Unë nuk jam më i njëjti person”, ka thënë ajo. “Që kur erdhën talibanët, ndihem sikur e vdekur”.  

3. Një vajzë afgane duke ushtruar tekuondo në Kabul.

4. Portreti i një gruaje afgane që praktikon boksin tajlandez, apo muai tai, në Kabul. Një grua tjetër, Sarina, 20-vjeçare, luftëtare e arteve të përziera luftarake, ka kujtuar se si, në gushtin e vitit 2021, ka garuar në një turne lokal grash në një sallë sportesh në Kabul. Fjalët ishin përhapur nga audienca dhe pjesëmarrëset se luftëtarët talibanë ishin afruar në periferinë e qytetit. Të gjitha gratë dhe vajzat kishin ikur nga salla. Kjo ka qenë gara e fundit në të cilën ajo mori pjesë.  

5. Një boksiere afgane në Kabul. Talibanët po ashtu kanë kërcënuar dhe ngacmuar ato që dikur janë marrë me sporte, shpesh duke i frikësuar ato që të mos ushtrojnë as privatisht.  

6. Një vajzë afgane me dërrasën e saj me rrota në Kabul. Pushteti i talibanëve ua ka ndaluar grave edhe mësimin e mesëm dhe të lartë. Muajin e kaluar, talibanët kanë urdhëruar përjashtimin e të gjitha grave nga universitetet.  

7. Një grua afgane, e cila merret me xhiuxhitsu, një art luftarak japonez, duke pozuar në Kabul me një vare, të cilin ajo e përdor për ushtrime. Autoritetet talibane vazhdimisht kanë premtuar se do t’i lejonin vajzat nga klasa e shtatë e lart që të ktheheshin në shkollë, por nuk i kanë mbajtur fjalët. 

8. Një grua afgane me biçikletën e saj të garave në Kabul. Talibanët po ashtu ua kanë ndaluar grave të vizitojnë parqet apo palestrat, dhe kërkojnë që ato ta mbulojnë fytyrën dhe flokët kur dalin në publik. Ata po ashtu kanë kufizuar ashpër mundësitë e grave për të punuar jashtë shtëpisë. Së voni, ata ua kanë ndaluar grave të punojnë për organizatat joqeveritare.  

9. Vajzat afgane në Kabul duke praktikuar artin luftarak kinez, vushu. Edhe para se talibanët të ktheheshin në pushtet, shumë njerëz në shoqërinë tejet konservatore të Afganistanit kundërshtonin sportet e grave, duke i konsideruar ato si cenim të modestisë dhe të figurës së grave në shoqëri.  

10. Një lojtare afgane e kriketit, në Kabul. Një zëdhënës i Organizatës së Sporteve dhe Komitetit Olimpik Kombëtar të talibanëve ka thënë se autoritetet po përpiqen të gjejnë një mënyrë që të rikthejnë sportet për gratë, duke ndërtuar qendra të veçanta për sporte për to. Por, ai nuk ka dhënë ndonjë afat kohor dhe ka thënë se për një gjë të tillë nevojiten fonde.  

11. Një lojtare afgane e volejbollit, në Kabul. Një grua tjetër ka rikujtuar se, në ditën kur talibanët hynë në Kabul, trajneri i saj kishte thirrur nënën e saj dhe e kishte nxitur ta nxirrte vajzën jashtë vendit. Por, nëna e saj kishte refuzuar t’ia përcillte porosinë, sepse nuk donte që vajza e saj të largohej. Kur ajo kishte marrë vesh për porosinë, kishte prerë venat dhe ishte dërguar në spital. “Bota ishte bërë e errët për mua”, ka thënë ajo.  

12. Një basketbolliste afgane në Kabul.

13. Gratë afgane duke praktikuar boksin tajlandez. Një tjetër grua sportiste tha: “Ndonëse jeta ime ishte e vështirë, kisha vetëbesim dhe e dija se, me mund, do të arrija çfarë dëshiroja. Tani, nuk kam më shumë shpresë”. /REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat