Zanetti: Interi dha një përgjigje fantastike

Futboll

Zanetti: Interi dha një përgjigje fantastike

Më: 8 mars 2023 Në ora: 16:02
Zanetti

Javier Zanetti beson te kualifikimi i Interit të tij në çerekfinalet e Champions League, por kërkon fillimisht përqendrimin maksimal për sfidën e së premtes ndaj Specias. 

Një vend të veçantë në fjalën e zëvendëspresidentit zikaltër nga festimet mbi përvjetorin e fondacionit të tij ka pasur edhe Antonio Konte dhe sfida e tij me Milanin, ashtu si rëndësia e Lautaro Martinezit për skuadrën.

“Interi dha një përgjigje fantastike pas sfidës me Bolonjën dhe morëm një fitore të merituar ndaj Leçes.

E dimë diferencën që kemi mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë, por po punojmë për të gjetur vazhdimësinë.

E dimë që mund të kishim grumbulluar më shumë pikë, por tani renditja flet vetë dhe e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të vazhdojmë të punojmë.

Na pret një javë shumë angazhuese dhe duhet të fokusohemi fillimisht te ndeshja me Specian për të marrë tri pikët e nevojshme, por edhe për të shkuar drejt Portos në formën tonë më të mirë”.

“Për të përgatitur si duhet përballjen me Porton, duhet që, siç thashë, të fitojmë ndaj Specias.

Do të duhet një skuadër shumë e vendosur, sepse e dimë që shkojmë në një stadium të nxehtë, ndaj një skuadre si Porto që të gjithë e dimë se mund të na vendosë në vështirësi.

Ata do të kërkojnë përmbysjen, por ne do të jemi gati. Duhet një Inter i madh, i përqendruar pasi vetëm kështu mund të themi fjalën tonë.

Të mbërrijmë në çerekfinale do të jetë një hap i madh, pasi do të konfirmojë rritjen e viteve të fundit. Jemi të ndërgjegjshëm për mundësinë që kemi dhe nuk duam ta shpërdorojmë”.

“Milani fillimisht ka një përballje me një skuadër të madhe si Totenhemi dhe të dyja do të bëjnë ç’është e mundur për të siguruar kualifikimin. Kuqezinjtë nisen në avantazh, por në Angli nuk do ta kenë të thjeshtë.

Konte bën gjithmonë diferencën në pankinë, flasim për një trajner që arrin gjithmonë të transmetojë pasionin e tij te skuadra. Derbi në çerekfinale? Fillimisht duhet të mendojmë për t’u kualifikuar, pastaj nëse do të gjejmë Milanin, do të jemi gati”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat