Drita - Gjilani, derbi i madh në Kosovë, Limani shpreh optimizmin

Futboll

Drita - Gjilani, derbi i madh në Kosovë, Limani shpreh optimizmin

Më: 11 mars 2023 Në ora: 19:34
Ardian Limani

Të gjithë janë në pritur të derbit të madh të qytetit të Gjilanit dhe Kosovës, Drita - Gjilani.

Drita kërkon fitore që të ruajë hapin fuqishëm për kreun e tabelës, ndërsa Gjilani për të përforcuar pozitën e tretë.

Derbi i javës së 25-të në elitën e futbollit, pritet me drithërima, që luhet nesër në orën 13.00.

Drita zë vendin e dytë me 48 pikë e Gjilanit të tretin me 39.

Kapiteni i Dritës, Ardian Limani, shprehet optimist.

“Për shkak kohës së shkurtë nuk kemi mundur të analizojmë shumë kundërshtarin, por e dijmë çfarë force kanë dhe ne jemi të përqendruar në forcën tonë.

Nëse ne arrijmë të dalim te loja jonë atëherë nuk është problem kundërshtari.

Mendoj se nuk është atmosfera e njejtë në derbi për shkak të mungesës së tifozëve, por ne e dijmë rëndësinë e ndeshjes dhe pikëve kështu që do ta japim maksimumin që ta fitojmë atë”.

Limani thotë se derbi pa tifozë po zbehet dhe është hendikep edhe për futbollistët në fushë.

“Ne jemi në cilësinë e vendasit dhe kur kemi përkrahje të ‘Intelektualëve’ na shtyjnë përpara dhe gjithmonë kur ata janë prezentë ne kemi rezultate më të mira.

Ne si futbollistë kemi bërë kërkesë që ndeshja të zhvillohet diku tjetër, por Federata është përgjigjur që është e pamundur dhe ne duhet të pajtohemi me këtë fakt.

Mirëpo ajo që e dijmë është që sytë i kanë të gjithë tek ne dhe do të luftojmë për ta që t’i shpërblejmë me fitore, sepse e dijmë që edhe ata e vuajnë faktin që do të mungojnë në stadium”, përfundoi kapiteni Limani.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat