Fillon edicioni i katërt i projektit “Elite Youth Development Programme U15” 

Futboll

Fillon edicioni i katërt i projektit “Elite Youth Development Programme U15” 

Më: 13 prill 2023 Në ora: 16:52
Pamje nga një stërvitje

Ka filluar edicioni i katërt në kuadër projektit “Elite Youth Development Programme U15”.

Edhe sivjet ky projekt do të zhvillohet me përfshirjen e të gjitha regjioneve, me rreth 600 futbollistë të grupmoshës nën 15 vjeç, të cilët do të vlerësohen për performancën e tyre nga trajnerët e angazhuar në këtë program, si dhe do të vëzhgohen nga afër edhe nga trajnerët e ekipeve zinxhir të kombëtares.

Krahas aktiviteteve në Kampin Nacional në Hajvali, ky projekt do të realizohet edhe nëpër regjione, ku do të zhvillohen ndeshje në formë turneu.

Përgjegjësi i projektit, Edmond Rugova e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm vazhdimësinë e këtij programi, e në të cilin sivjet janë të përfshirë futbollistët e lindur në vitin 2009.

“Është kënaqësi të fillosh sërish këtë program dhe shpresoj se ashtu siç është krijuar do të ketë vazhdimësi edhe në vitet e ardhshme.

Posa të përfundojmë përzgjedhjet e lojtarëve në fazën e parë, do të krijohen ekipet rajonale dhe mandej vazhdojmë me turne ndër rajonale, ku trajnerët do të kenë mundësi t’i shohin këta lojtarë edhe në ndeshjet në formë turneu”, ka theksuar Rugova.

Ai është shprehur i entuziazmuar për numrin e madh të talenteve, por ka thënë se duhet një qasje më seriozite në punën me këta djelmosha.

“Esenca e këtij projekti është zhvillimi dhe ngritja e cilësive individuale në konceptin ekipor.

Ky program është i dizajnuar për të ngritur nivelin e cilësisë së secilit futbollistë të përfshirë.

Njëherësh ky program është në koordinim edhe me seleksionimet që po bëhen jashtë vendit siç është kampi i fundit në Grunberg të Gjermanisë”, ka shtuar Rugova.

Ai ka bërë të ditur se në shtator apo tetor planifikohet të nis puna edhe me gjeneratën e lindur në vitin 2010.

Të lumtur që janë pjesë e këtij projekti janë shprehur edhe futbollistët e rinj, të cilët e kanë mundësinë t’i tregojnë vlerat e tyre para trajnerëve të të gjitha regjioneve, derisa kanë folur edhe për ëndrrat e tyre në të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur që e kam nderin të luaj këtu dhe të shpreh talentin tim.

Në të ardhmen kam dëshirë që bëhem futbollist profesionist dhe të luaj në ekipe të mëdha”, ka thënë Bardh Kryeziu nga ekipi i FC Ballkanit.

Ndërkaq, edhe anëtari i FC Dragashi, Dren Loshaj është shprehur:

“Jam i lumtur që jam pjesë e këtij projekti. Shpresoj të përzgjedhem për ekipin e regjionit dhe në të ardhmen edhe për ekipin kombëtar.

Ëndrra ime është të arrij sa më shumë në futboll dhe të luaj në ndonjë prej shteteve më të avancuara si Angli apo Gjermani”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat