Begolli: Si duhet të sillet me një sportist brenda fushës, por edhe jashtë saj:

Futboll

Begolli: Si duhet të sillet me një sportist brenda fushës, por edhe jashtë saj:

Më: 28 prill 2023 Në ora: 18:50
Begolli

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë në muajin maj kusrin “UEFA Football Doctor Education”, që do të zgjasë për tre ditë (në datat 2-4 maj) dhe është një program shumë i rëndësishëm për formimin dhe profilizimin e specialistëve të mjekësisë sportive në Shqipëri.

Kursi është i ndarë në një program që mbulon thuajse të gjitha aspekte të ndryshme të mjekësisë sportive, duke ndjekur udhëzimet dhe protokollet e UEFA-s.

Ky program do të udhëhiqet nga Sektori i Mjekësisë Sportive në FSHF e konkretisht nga Gianluca Stesina e Ilvi Begolli dhe është mjaft i dobishëm për doktorët sportivë dhe për fizioterapistët, që përfitojnë njohuri të reja e që specializohen në fushën e mjekësisë sportive.

Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë Sportive, Ilvi Begolli thotë se “UEFA Football Doctor Education” është një program i implementuar në të gjitha vendet europiane e që në thelb ka mbrojtjen dhe kujdesin shëndetësor të sportistit, teksa shpjegon edhe tematikat që do të drejtohen përgjatë programit 3-ditor.

“UEFA Football Doctor Education është një program i UEFA-s që është implementuar në të gjitha vendet europiane, ashtu si edhe në Shqipëri nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit, që në thelb ka mbrojtjen dhe kujdesin shëndetësor të sportistit.

Është një program intensiv për tre ditë me radhë, ku në fokus është sportisti dhe të gjitha ato aspekte mjekësore që i shërbejë sportistit për të pasur një përformancë të mirë gjatë gjithë aktivitetit.

Kemi brenda reanimimin kardio-pulmonar, arrestin kardiak, rehabilitimin, traumat e kokës, kemi brenda anti-doping, nutricionin sportiv, psikologjinë sportive, pra është një program shumë i ngjeshur ku të gjitha këto elemente mjekësore i përshtaten një sportisti”, – u shpreh Begolli në një prononcim për Fshf.org, ndërsa shpjegon se synimi kryesor është përgatitja e profesionistëve të mjekësisë për t’i shërbyer sportistit në çdo aspekt e për t’u kujdesur për parametrat shëndetësorë gjatë gjithë kampionatit.

“Të gjitha ata që duan të profilizohen dhe specializohen sadopak në fushën e mjekësisë sportive, ky është një program që ofron të gjitha njohuritë e nevojshme për këdo që dëshiron të punojë në fushën e mjekësisë sportive ka një dritare ku mund të orientohet dhe një program specifik se si duhet të sillet me një sportist brenda fushës, por edhe jashtë saj dhe këtu përfshihet gjithë ky program.

Ne sot i shërbejmë një sportisti në 360 gradë me të gjitha elementet mjekësore dhe parametrat fizikë që një sportist bën gjatë gjithë ciklit të një kampionati.

Ky është rikthim i një programi që kemi bërë, patjetër me disa detaje më të avancuara, por është një program i unifikuar në të gjitha vendet europiane dhe në Shqipëri. Ne sot ecim nëpërmjet disa protokolleve që janë standardizuar në të gjitha vendet europiane nëpërmjet UEFA-s”, – theksoi Ilvi Begolli.

Në ditën e parë të kursit, që zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë, do të trajtohen çështje si parandalimi i aksidenteve, rehabilitimi prej aksidenteve, rregullat anti-doping e njohja e listës së barnave si edhe psikologji sportive.

Në ditën e dytë fokusi do të jetë te kontrolli mjekësor sportiv i lojtarëve të futbollit; shfaqja kardiologjike dhe prezantimet e patologjive kryesore të lojtarëve, parimet e përgatitjes fizike të lojtarëve në ekipin kombëtar dhe në klube si edhe mjetet e kontrollit të lodhjes dhe rikuperimit të lojtarëve.

Në ditën e tretë dhe të fundit do të diskutohet rreth të ushqyerit sportiv dhe suplementet, traumat në kokë e tronditjet dhe parimet e ndihmës së parë.

Në përfundim të kursit, të gjithë pjesëmarrësit do t’i nënshtrohen një testi vlerësimi dhe do të pajisen me certifikatën përkatëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat