63 gola gjatë një sezoni në Angli

Futboll

63 gola gjatë një sezoni në Angli

Më: 2 maj 2023 Në ora: 11:48
Haaland

Vikingu bjond me flokë të gjata, i cili ushqehet me zemra dhe mëlçi lope dhe njeriu që e mbylli jetën e tij me një këmbë dhe sipas një legjende u godit aq fortë mes tyre, sa luajti shumicën e karrierës së tij me vetëm një testikul.

Një tjetër gol ndaj Fulhamit e dërgoi në 50 numrin e golave sezonal në 43 ndeshje në sezonin e tij debutues me Mançester Sitin. Përpara tij sot është vetëm Diksi Din, 63 golat e tij në 41 ndeshjet për Evertonin në sezonin 1927-‘28, mbeten rekordi i paarritshëm i futbollit anglez.

Halandit i duhen edhe 14 gola të tjerë dhe ka edhe 10 ndeshje të mundshme në dispozicion: 6 në Premier Ligë, finalen e Kupës FA dhe tre në Champions në rast se Siti kalon Realin në gjysmëfinale dhe shkon në finalen e Stambollit.

22-vjeçari ka shënuar mesatarisht 1.14 gola për ndeshje këtë sezon. Nëse ruan këtë raport shënimi, ajo parashikon që ai të shënojë 12 ose 13 gola të tjerë deri në fund të sezonit, duke e kërcënuar seriozisht rekordin e Dinit. Dhe në fund ai do të pendohet shumë që ia lejoi Mahrezit ekzekutimin e penalltisë kundër Shefilld Junajtidit në Kupën FA.

Haland ka shënuar 18 gola në 12 ndeshjet e tij të fundit. Ai ka thyer rekordin e golave të një sezoni në Premier Ligë me 38 ndeshje dhe ka barazuar atë të të gjitha kohërave që mbahet nga Alan Shirer dhe Endi Kol (34 gola, por atëherë sezoni kishte 42 ndeshje). Rekordi i golave të Dinit në kampionat (60) mbetet i pakërcënuar, por jo ai i të gjitha kompeticioneve (63).

Kur u pyet një ditë nëse rekordi i tij i 60 golave do të thyhej, Din tha: “Mendoj që po, por vetëm një njeri do ta bëjë atë, ai që ecën mbi ujë. Ai është i vetmi”. Shumë legjenda qarkullojnë për yllin e Evertonit, siç është edhe ajo që humbi një testikul në fillim të karrierës, pas një ndërhyrje të mbrojtësit të Rokdejlit, Dejvi Parks në “Prenton Park”.

Dhe kur një prej shokëve të skuadrës vrapoi për t’i ardhur në ndihmë, Din i tha: “Mos i fërko ato, por numëroji”. Historianët e futbollit nuk kanë arritur që ta konfirmojnë saktësinë e kësaj historie, por kjo nuk e pengoi Dinin që t’i shtonte akoma më shumë këto zëra, kur ai më vonë sulmoi Parksin në një pab të Çesterit si shenjë hakmarrjeje.

“Ai më dërgoi një kriko birre në bar”, tregonte Din në një intervistë për “BBC”-në. “Kur pyeta banakierin se kush ma dërgoi, ai më bëri me shenjë nga ai, por unë nuk po bëja lidhjen e fytyrës për pak kohë. Por pasi e njoha dhe i bëra turinjtë përshesh, ata e dërguan në spital, kështu që jemi në barazim”.

Din tregoi se ai mësoi të luante me të dyja këmbët, duke goditur minjtë në mur, ndërsa punonte me babanë e tij si një montues hekurudhe. Ai për pak sa nuk vdiq pas një aksidenti me motoçikletë një sezon përpara se të vendoste rekordin historik. Pësoi frakturë në kokë dhe theu nofullën në dy vende.

Nëse Haland sot fiton 380 mijë paund në javë pa bonuset, rroga e Diksit ishte 8 paund në javë në dimër dhe 6 paund në verë. Ai refuzoi të trefishonte rrogën me një lëvizje në SHBA për të qëndruar në klubin e fëmijërisë.

Një ishemi detyroi mjekët që t’i prisnin këmbën e djathtë dhe vitet e fundit të jetës i kaloi në një karrige me rroga. Vdiq në mars 1980, në moshën 73-vjeçare, pasi pa Evertonin të luante kundër Liverpulit në “Goodison Park”. Ndërsa shoku i tij i vjetër i skuadër Xho Merser tha pasi dëgjoi lajmin: “E ku tjetër?”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat