Moratti, optimist para finales së Stambollit

Futboll

Moratti, optimist para finales së Stambollit

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 14:41
Moratti

I pari ishte Angelo, pastaj erdhi Massimo.

Kupa e Kampionëve/Liga e Kampionëve tek Interi është e lidhur pazgjidhshmërisht me familjen “Moratti”.

Nga Herrera te Mourinho, nga Facchetti, Suarez dhe Mazzola te Zanetti, Eto’o dhe Milito.

Tani stafeta mund t’i kalojë Steven Zhang-ut, në natën e “Ataturkut”, stadiumin e mrekullive, atë në të cilin Simone Inzaghi, Brozovic, Lautaro dhe Lukaku ëndërrojnë të ngrenë trofeun 13 vite pas natës magjike të “Bernabeut”.

Momenti në të cilin Massimo Moratti përjetoi lumturinë drejtpërdrejt. “Arritja në finalen e Ligës së Kampionëve është një çështje krenarie e madhe, – tha ish-presidenti i zikaltërve për “Il Giorno”. – Ekziston edhe kënaqësia e sigurimit të kualifikimit përmes një fitoreje shumë të qartë ndaj Milanit. Kjo ushqen prestigjin e klubit”.

Vetëdija për forcën e kundërshtarit nuk i turbullon mendimet e Morattit: “Manchester City është si luftanije, por Interi sigurisht nuk e nis i mundur finalen. Besimi im është i motivuar, sepse Interi ishte befasues në ndeshjet e rëndësishme. Zikaltrit treguan lojë të mirë dhe gjithashtu vendosmëri, duke shënuar edhe gola.

Disa ndeshje që humbën në ligë i luajtën me disa rezerva në fushë, kohët e fundit edhe për arsye programi. Duke menduar për Interin në Ligën e Kampionëve, po të isha kundërshtar i tij do të kisha frikë. Problemi më shumë se çdo gjë tjetër është se çdo lojtar i Manchester City është i mirë.

Unë i pashë së fundmi, ata futën në fushë një djalë të ri si Palmer dhe luajti shkëlqyeshëm. Të tjerët në përgjithësi janë të gjithë të mirë dhe me klas. Ata kanë një trajner të madh, por në një finale gjithçka mund të ndodhë”.

Çfarëdo që të ndodhë, për Morattin, finishi i këtij sezoni ishte një arsye për të ndryshuar mendje dhe për të rishikuar thellësisht gjykimin e tij për Simone Inzaghi: “Ai më detyroi të ndryshoja mendje. Simone bëri shumë mirë, pavarësisht humbjeve në kampionat. E ka justifikuar gjithçka me rezultatet e tij”.

Gjykimi për Steven Zhang, që në fakt mund të jetë trashëgimtari i tij në çatinë e Evropës, është gjithashtu shumë pozitiv: “Që kur Suning mori drejtimin, Interi ka fituar Serie A, Kupën e Italisë, Superkupën e Italisë, ka arritur në dy finale evropiane.

Rezultatet që ka arritur janë të shkëlqyera. Më duket e padrejtë ta kritikoj. Kur flasim për një skuadër të madhe të Interit, meritat i shkojnë presidentit dhe kujtdo që e ka vënë veten në dispozicion për t’i sjellë ato trofe në shtëpi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat