Prezantohet programi ‘Futbolli për Shkollat’, 116 mësues të edukimit fizik trajnohen nga FIFA

Futboll

Prezantohet programi ‘Futbolli për Shkollat’, 116 mësues të edukimit fizik trajnohen nga FIFA

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 13:00
Pamje nga aktiviteti

Programi i ‘Futbollit për Shkolla’, një projekt bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, i mbështetur nga FIFA, nis zyrtarisht rrugëtimin nga e mërkura e 21 qershorit.  

Ky program që do të zbatohet në 116 shkolla në të gjithë Shqipërinë do të jetë i ndarë në dy faza, ndërsa numri i fëmijëve dhe mësuesve të përfshirë pritet të jetë shumë i madh. Qëllimi kryesor i këtij programi është identifikimi dhe mbështetja e talenteve të reja, si edhe mbështetja e familjeve shqiptare njëkohësisht.

Nga nesër do të nisë edhe trajnimi i 116 mësuesve të edukimit fizik në shkollat e përzgjedhura. 3 përfaqësuesë të FIFA-s kanë mbërritur sot në Tiranë dhe do të zhvillojnë një seminar 3 ditor me 116 mësues të edukimit fizik në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Në këtë seminar, përfaqësuesit e FIFA-s do të diskutojnë tema të ndryshme, si edhe do të bëhet edhe prezantimi i aplikacionit të këtij programi. Ndërkaq, veç pjesës teorike, 116 mësuesit do të zbresin edhe në terren ku do të zhvillojnë pjesën praktike me rreth 200 fëmijë që do të mbushin fushat e ‘Shtëpisë së Futbollit’.

Në ditën e dytë të seminarit do të dorëzohen edhe diplomat për trajnerët edukatorë nga përfaqësuesit e FIFA-s, ndërsa dita e tretë është konceptuar në formën e një festivali, ku fëmijët do të demonstrojnë ushtrime të ndryshme me top. Që ky program të ketë suksesin e duhur, është shumë i rëndësishëm trajnimi i mësuesve të edukimit fizik që më pas do të shërbejnë edhe si trajnerë të ekipeve sportive.

Kjo është vetëm faza e parë e projektit, teksa në fazën e dytë do të përfshihen edhe 416 shkolla të tjera në të gjithë vendin. Ambiciet e kësaj nisme janë të ndërmarrë nga FSHF dhe MAS, me mbështetjen e FIFA-s janë të mëdha dhe synohet që përmes këtij programi, të mbështeten të gjitha shkollat 9-vjeçare, duke shpërndarë materiale bazë që duhen për futbollin dhe për zhvillimin e këtij sporti, duke krijuar ekipe futbolli.

Programi i ‘Futbollit për Shkolla’ synon të ndihmojë në zhvillimin pozitiv të aftësive fizike dhe një jete më të shëndetshme të fëmijëve dhe nxënësve; të ndihmojë në krijimin e besimit në vetvete dhe disiplinës tek fëmijët dhe të rinjtë; të ndikojë në rritjen e bashkëveprimit social dhe minimizimit të individualizmit; të ndihmojë në përmirësimin e performancës në procesin e të mësuarit; të promovojë e të zhvillojë praktika gjithëpërfshirëse për nxënësit me aftësi ndryshe; të promovojë dhe shpërndajë kulturën e mundësive të barabarta, duke mbështetur pjesëmarrjen e vajzave, në të gjithë nivelet e praktikës së tyre sportive si edhe të promovojë e të implementojë një edukatë të pastër sportive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat