Çështja më emergjente tek Interi

Futboll

Çështja më emergjente tek Interi

Më: 20 korrik 2023 Në ora: 13:50
Sommer

André Onana zbarkoi dje në Manchester për vizitat e zakonshme mjekësore dhe do të jetë zyrtarisht portier i United në orët në vijim. Tifozët e Interit e përshëndetën me përzemërsi dhe madje me një “prekje” nostalgjie. Ja çfarë ndodh kur lidhesh me disa personazhe me karizëm dhe personalitet të madh. Por Interi tashmë është projektuar drejt së ardhmes.

Me 55 milionët që vijnë nga shitja e kamerunasit, Marotta dhe Ausilio do të duhet të rregullojnë disa boshllëqe strukturore të pranishme sot në skuadrën e Simone Inzaghit. Nëse për rolet e tjera nuk ka nevojë për veprime të menjëhershme, urgjenca më e madhe është gjetja e një portieri të ri, që të udhëtojë me skuadrën në turneun e Japonisë (nga e diela deri më 1 gusht).

Për këtë arsye, Interi synon mes ditës së sotme dhe nesër të mbyllë marrëveshjen me Bayern Munich për Yann Sommer, portierin 34-vjeçar të kombëtares zvicerane, me të cilin tashmë ka një marrëveshje parimore për kontratën e re.

Megjithatë, marrëveshja me klubin gjerman mungon. Dy klubet kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe Bayerni nuk ka ndërmend ta pengojë largimin e Sommer, i cili kishte një klauzolë lirimi prej 6 milionë eurosh, e cila skadoi pak ditë më parë.

Jo keq, sepse Interi nuk kishte ndërmend të paguante klauzolën për të liruar Sommer, gjithashtu për të mos e investuar menjëherë shumën e vendosur. Prej ditësh palët kanë punuar në baza të ndryshme dhe Interi synon ta blejë portierin helvet për 4 milionë euro.

Kontaktet me Mynihun kanë qenë të vazhdueshme ditët e fundit, por nuk ka qenë e mundur të përshpejtohen negociatat, pasi Bayerni gjithashtu ka nevojë për një portier të ri të nivelit ndërkombëtar, i cili mund të rritet pas Neuerit dhe që mund ta zëvendësojë atë. Profili i identifikuar disa kohë më parë është ai i Giorgi Mamardashvili, 22-vjeçari gjeorgjian, në pronësi të Valencias dhe në fund të marrëveshjes.

Operacion tepër i shtrenjtë dhe kompleks për Interin, jo për Bayernin, që e sheh atë si portierin e së ardhmes, prej kohësh. Mbetet fakt se Inzaghi po shtyn që të ketë shpejt një portier të ri, duke pasur parasysh rrezikun e lartë të largimit drejt Japonisë me portierin e tretë Di Gennaro, plus Radu dhe Filip Stankovic, të cilët janë kthyer nga huazimi, por pa i boshatisur valixhet.

Me pak fjalë, çështja është urgjente, ndaj Marotta dhe Ausilio janë gati t’i paraqesin Bayernit ofertën e tyre zyrtare brenda 48 orëve. Sommer është në pritje të lajmeve, por ndërkohë humbi miqësoren e parë të së martës. Dhe trajneri Tuchel e ka bërë të qartë se do një portier të ri në pritje të rikuperimit të Neuer.

Lidhja me Sommer, ndër të tjera ka rrënjë të largëta. Interi e kishte synuar tashmë atë verën e kaluar, kur ishte ende te Borussia Monchengladbach. Ideja ishte ta merrte atë tani si transferim të lirë. Më pas lëndimi i Neuer prishi planet e të gjithëve dhe Sommer përfundoi te Bayern Munich në janar. Sapo filloi të merrte formë shitja e Onanës, kontaktet mes palëve rinisën.

Strategjia e zikaltërve dihet prej kohësh: do dy portierë të rinj, dy titullarë që do të duhet të luftojnë për vendin e tyre. Për këtë arsye, pas mbylljes për Sommer, do të fillojnë sërish bisedimet me Shakhtarin për të zhbllokuar edhe marrëveshjen me Trubin, 21-vjeçarin në pistën e nisjes.

Këtu do të duhet diplomaci dhe shumë durim, sepse pavarësisht se kontrata skadon pas një viti, Shakhtar kërkon të paktën 30 milionë euro për ta liruar xhevahirin e vet. Shumë për Interin, por jo vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat