Methasani: Mbrëmë mu duk sikur përfaqësuesja e Shqiptarisë!

Futboll

Methasani: Mbrëmë mu duk sikur përfaqësuesja e Shqiptarisë!

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 12:34
Bajrami e Methasani

Mbrëmjen e 7 shtatorit, si rrallë herë për arsye objektive, kombëtaren nuk e ndoqa dot, as nga stadiumi dhe as nga studiot televizive apo radiofonike, por nga ekrani i vogël i telefonit, madje pa bërë zhurmë dhe pa prishur qetësinë e të sëmurëve.

Por brenda mureve të heshtura, më pushtoi një ndjenjë gëzimi, sepse jo vetëm barazuam brenda në Pragë, por treguam sa vlejmë edhe kur luajmë mirë jashtë.

Goli i djalit nga Tetova Nedin Bajrami, ishte qershia mbi tortë, që siç e tha edhe spikeri i huaj, justifikonte numrin 10 që ky lojtar mbante në fanelë. Ndoshta ky barazim 1-1, si rrallë herë vlen jo 1 pikë, por 3 sepse na mban në vendin e dytë dhe në zonën pretendente.

"Tifozët e zbukuruan aq shumë atmosferën, saqë shpesh herë më dukej se ishim në “Air Albania”, kjo edhe për ngjyrat e kuqe të stadiumit të Pragës.

Trajneri dhe skuadra ishin sinkron me njëri-tjetrin dhe i përgëzoi të gjithë për çka treguan në fushë. Ndoshta i vetmi peng që më mbeti në këtë mbrëmje vezulluese, ishte mos aktivizimi i Qazim Laçit qoftë edhe për pak minuta, sepse pikërisht në atë stadium, ai ka dhuruar emocione të mëdha me ekipin ku aktivizohet në kampionatin çek me Spartën.

Tashmë kuqezinjtë e kanë vetë në dorë kualifikimin për në “EURO 2024”, por çdo ndeshje do të jetë një finale për ta, veçmas kjo e së dielës me 10 shtator, kur presim Poloninë në Tiranë.

Gjithsesi mbrëmë mu duk jo thjesht kombëtarja e Shqipërisë, por përfaqësuesja e Shqiptarisë, kjo edhe për arsyen se e ndoqa nga Gjermania, vendi mikpritës i finaleve të europianit të ardhshëm ku shqiptarët dua ti shoh të gjithë bashkë me simbolet tona kombëtare….!".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat