​Gliha para ndeshjes me Zvicrën: Duhet të provojmë të gjejmë një zgjidhje dhe jo të qajmë

Futboll

​Gliha para ndeshjes me Zvicrën: Duhet të provojmë të gjejmë një zgjidhje dhe jo të qajmë

Më: 8 shtator 2023 Në ora: 19:16
Foto nga vendi i ngjarjes

Para ndeshjes së nesërme kundër Zvicrës, trajneri i Kombëtares së Kosovës, Primozh Gliha ka folur në konferencë për media, duke treguar se çka i nevojitet "Dardanëve" në këtë duel, si dhe foli edhe për formacionin startues ndaj "Helvetikëve".

Gliha tha se edhe pse në futboll nganjëherë mund të jetë e vështirë, Kosovës do t'i duhet të provojë që të gjejë një zgjidhje nesër ndaj Zvicrës dhe jo të qaj.

Gliha: Në futboll nganjëherë është e vështirë, megjithatë ne duhet të provojmë të gjejmë një zgjidhje

"Në futboll nganjëherë është e vështirë, mirëpo megjithatë ne duhet gjithmonë të provojmë që të gjejmë zgjidhje dhe jo të qajmë, prandaj kemi provuar ta bëjmë një gjë të tillë edhe gjatë këtyre 5 ditëve për ato pika ku e kemi parë të nevojshme që të gjejmë zgjidhje për më të mirën e ekipit", tha Gliha.

Më tej, Gliha foli për formacionin startues ndaj Zvicrës dhe zbuloi nëse do të përfshihen edhe dyshja Albion Rrahmani dhe Meriton Korenica. Trajneri i Kosovës tha se lojtarët të cilët do të jenë në formacionin startues nesër, do ta kenë shumë të vështirë.

Gliha: Rrahmani e Korenica goxha të ri, do të jetë shumë e vështirë për të gjithë ata që do të jenë pjesë e formacionit startues.

"Fillimisht mund të them që të dy janë djem shumë të mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme, por duhet ta kemi parasysh faktin që ata janë lojtarë goxha të ri, dhe përgjegjësia që rëndon mbi ta është goxha e madhe, sidomos ndaj një kundërshtari shumë të fortë siç është Zvicra sepse Zvicra këtë e ka dëshmuar edhe në Kampionatin e fundit Botëror në Katar, prandaj është ndeshje shumë e vështirë, dhe me shumë përgjegjësi, kështu që nuk mund të them diçka më shumë për këtë pjesë, por ajo që mund të them është se ne e kemi të qartë mënyrën se si ne do të luajmë si ekip. Po ashtu kemi disa probleme të vogla me lëndime, të shohim pastaj se cilat do të jenë zgjidhjet dhe vendimet e momenteve të fundit. Nuk mund të flas më shumë për formacionin startues, por ajo që mund të them është se do të jetë shumë e vështirë për të gjithë ata që do të jenë pjesë e formacionit startues", tha Gliha.

Kosova e pret Zvicrën nesër në stadiumin "Fadil Vokrri", me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Evropian Euro 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat