Dinamo e Di Biaxhos kërkon kohë

Futboll

Dinamo e Di Biaxhos kërkon kohë

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 21:05
Di Biaxho

Pas suksesit të parë, Dinamo kërkon të përsëritet, kur përballë në javën e katërt të Superiores do të jetë Erzeni.

Një ndeshje e komplikuar edhe për faktin se shijakasit kanë treguar se dinë të rikuperojnë, edhe kur janë në disavantazh. E megjithatë tekniku Luigi Di Biaggio e merr me sportivitet këtë detaj.

“Idealja është të shkojmë 2-3 gola avantazh si kanë bërë skuadrat e tjera. Objektivi është ky.

Por do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata janë një ekip që nuk heq dorë kurrë, nuk të lënë të luash. Pavarësisht kundërshtarëve unë shqetësohem për skuadrën time. Duhet të kërkojmë të kemi lojën në dorë, të jemi të saktë në pasime. E atëherë bëhemi një skuadër e mirë”, tha Luixhi Di Biaxho.

Për të parë skuadrën e vërtetë të Di Biaggio në fakt duhet edhe pak kohë, sepse ashtu si shpjegon italiani, jo gjithcka ka shkuar si duhet, edhe në aspektin dëmtimeve. “Duhet të jemi të surprizuar për mënyrën si luajtëm 2 ndeshjet e para.

Pastaj humbëm 4-5 lojtarë për dëmtime dhe të tjerë kanë arritur ditët e fundit. Nuk duhet të harrojmë se skuadra vjen nga Kategoria e Parë, se shumë prej këtyre lojtarëve nuk kanë luajtur kurrë në këtë nivel kështu që duhet durim”, shtoi trajneri dinamovit.

Ish-tekniku i U-21 të Italisë ka zbuluar se Dinamo nuk i ka vendosur asnjë objektiv për këtë vit. E megjithatë, një vit tranzicion nuk është në ambicjet e Di Biaggios.

“Shoqëria më ka kërkuar të ndërtojë skuadrën në një vit tranzicion. Unë nuk mund të kënaqem me një vit të tillë, kështu që i shpjegoj lojtarëve cdo ditë se duhet të shohin lart. Por kemi vështirësi, kjo është një skuadër e lindur në 20 ditë”, tha Di Biaxhio.

Erzeni si pritës do të luajë në Arena Egnatia në orën 16.00 dhe Dinamo do të kërkojnë tani edhe fitoren e parë në transfertë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat