Grima: Më kënaqën shpirti dhe lufta sportive

Futboll

Grima: Më kënaqën shpirti dhe lufta sportive

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 12:05
Armir Grima

Shqipëria e vajzave e nisi rrugëtimin në Ligën e Kombeve për vajza me një barazim 1-1 kundër Hungarisë. Qëndresa Krasniqi zhbllokoi ndeshjen, ndërsa në pjesë e dytë skuadra mike barazoi.

Trajneri Armir Grima foli pas ndeshjes për fshf.org, teksa u shpreh i kënaqur me atë që skuadra e tij dha në fushën e lojës.

Tekniku kuqezi analizoi momentet e vështira në lojë dhe mungesat, pasi Esmeralda Franja dhe Mimoza Hamidi nuk ia dolën të ishin me skuadrën për arsye dëmtimesh.

NDESHJA – “Më shumë jam i kënaqur me atë që treguan vajzat, me shpirtin e garës, me luftën e fortë sportive, me përqendrimin në pjesën më të madhe të lojës. Kjo është ajo që më kënaq mua më shumë.

Normalisht do të më kënaqte edhe fitorja më shumë, por gjithsesi është një fillim i mirë. Kishim shumë vështirësi për ta nxjerrë topin nga zona jonë. Normalisht edhe kur lodhesh nuk je i qetë. Edhe në ato situata besoj se vajzat luftuan. Kjo është e rëndësishme”.

MUNGESAT – “Nuk e di si mund të shkonte loja po të ishin edhe ato në formacion. Ndoshta mund të luanim më mirë, ndoshta mund të luanim më dobët. Ajo që e mban këtë ekip është grupi, është fryma. Edhe ata individë cilësorë që ne kemi janë të shkrirë mjaft mirë me grupin, kjo është kryesorja.

A do ishte mirë të ishin Franja dhe Hamidi? Normalisht që do të ishte shumë mirë. Edhe këtë fillim të mbarë ua dedikoj atyre dy vajzave, bashkë me Arbianën që nuk është ende gati. E rëndësishme që të bëhen për ndeshjet e ardhshme, pasi janë një forcë akoma më shumë për ne.

Dhe të jemi më të plotësuar për ndeshjet që na presin, që janë më të vështira. Do shohim a kemi dëmtime, të pushojmë mirë e të shohim fuqitë që kemi. Kemi disa ditë për të menduar për Irlandën. Le të rikuperojmë vajzat”, përfundoi Grima prononcimin e tij.

Të martën, Kombëtarja shqiptare e vajzave do të luajë ndeshjen e dytë të grupit ndaj Irlandës së Veriut në Belfast. Kjo përballje do të zhvillohet duke nisur prej orës 20:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat