Toshevski: Shkupi gjithmonë luan për të fituar tri pikë

Futboll

Toshevski: Shkupi gjithmonë luan për të fituar tri pikë

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 14:32
Shkupi

Mesjava në futbollin maqedonas ishte aktive, pasi u zhvilluan ndeshjet e raundit të parë kualifikues të Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Tani më siç dihet, Shkupi me rezultat 8-0 eliminoi BVK Konjaren dhe do të pret kundërshtarin e radhës në fazën e 1/8 së finales.

Në ndërkohë, në fundjavë, më saktësisht të dielën janë mysafir të skuadrës së Voska Sport nga Ohri.

Për këtë përballje ekipi është përgatitur maksimalisht dhe pritet që trajneri Mlladen Zhizhoviç të dalë me formacionin më të mirë të mundshëm.

Pikërisht për ndeshjen e të dielës, ka folur mbrojtësi i Shkupit Kristijan Toshevski, i cili është adaptuar shumë mirë dhe shpejt në ekip, dhe është një nga shtyllat e mbrojtjes.

“Presim që të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, edhe për faktin se luajmë në cilësinë e mysafirit. Sigurisht se kemi respekt për skuadrën e Voska Sport, i kemi analizuar mirë anët e mira dhe dobësitë që kanë dhe mendoj se do të jemi gati për këtë sfidë.

E mira e kësaj është që luajmë në një fushë të mirë dhe në këtë rast, duhet ditur se Shkupi gjithmonë luan për të fituar tri pikë, për këtë edhe shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka thënë Toshevski.

Kujtojmë se ekipi shkupjan deri më tani ka luajtur dy duele me skuadrën nga Ohri, Voska dhe në të dy përballjet kemi shënuar fitore.

Dy takimet janë luajtur vitin e kaluar, i pari në kuadër të Kupës së Maqedonisë së Veriut në muajin tetor dhe e fituam me rezultat 6:0, ndërsa ndeshja e dytë ishte miqësore e luajtur në mars të vitit 2022, të cilën e kemi fituar me rezultat 1-0.

Ndeshja Voska Sport – Shkupi luhet në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër me fillim në ora 15:00, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri nga Shtipi, Krumisllav Gjorgjiev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat