Interi sfidon Empolin në transfertë

Futboll

Interi sfidon Empolin në transfertë

Më: 23 shtator 2023 Në ora: 15:52
Inzaghi

Interi do të kërkojë suksesin e pestë radhazi në kampionat, në po kaq ndeshje të luajtura, teksa mesditën e të dielës do të sfidojë Empolin në transfertë.

Trajneri Inzaghi ka planifikuar sërish ndryshime në formacion, duke pasur parasysh lodhjen në ndeshjen e Champions-it, por edhe mungesat, pasi Cuadrado e Sensi nuk kanë udhëtuar me skuadrën.

Kështu trajneri pritet t’i besojë sërish francezit Pavard në krahun e djathtë të mbrojtjes, për të formuar treshen me De Vrij dhe Acerbin në prapavijë, ndërsa në krahët e mesfushës do të luajnë Darmian e Dimarco, me Dumfries që do të bëjë pushim, pasi ka luajtur titullar të gjithë takimet deri tani.

Në qendër të mesfushës janë edhe dilemat më të mëdha, pasi është i sigurt në fushë Frattesi, ndërsa në dy pozicionet e tjera Inzaghi ka shumë dyshime mes 5 mesfushorëve të tjerë që ka në pankinë.

Në sulm pritet të rikthehet titullar Marcus Thuram, i cili qëndroi në stol në Spanjë dhe luajti vetëm 30 minuta, ndërsa në krah të tij me shumë gjasa do të luajë kileni Alexis Sanchez. Kjo pasi Lautaro ka marrë minutazh të plotë në të 5 ndeshjet zyrtare të zikaltërve dhe transferta ndaj Empolit shihet si e duhura që kapiteni të çlodhet.

Interi do të luajë në transfertën ndaj Empolit të dielën në orën 12:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat