Ish - lojtari çek: Nuk jeni rastësisht në krye

Futboll

Ish - lojtari çek: Nuk jeni rastësisht në krye

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 21:26
Daniel Pudil

Ish - lojtari i Republikës Çeke, Daniel Pudili ka dhënë një intervistë për emisionin “Zona 30”.

38-vjeçari ka dhënë mendimin e tij për sfidën e 12 tetorit mes Shqipërisë dhe Çekisë. Ish-lojtari i Uatfordit ka vlerësuar Kombëtaren kuqezi për nivelin e shfaqur deri më tani dhe pranon se e sheh si një favorite për të shkuar në Kampionatin Europian Gjermani 2024.

Pudili thekson disiplinën dhe organizimin e skuadrës si pika kyçe të Shqipërisë.

Sipas tij Silvinjo ia ka dalë t’i bëjë lojtarët ta ndjekin verbërisht, çka ka sjellë edhe këto rezultate tejet pozitive në fushën e lojës.

“Kemi arritur ta kualifikojmë Çekinë në çdo Kampionat Europian.

Mendoj se edhe djemtë e ekipit aktual do të japin maksimumin të mundin Poloninë dhe pse jo të marrim 3 pikë edhe ndaj skuadrës tuaj.

Nuk mendoj aspak se do të jetë një ndeshje e lehtë ajo kundër Shqipërisë sepse skuadra juaj ka bërë shumë mirë dhe në sfidën e Pragës tregoi se di të mbrohet mirë prandaj e ritheksoj…do të jetë një test shumë i rëndësishëm për ne. Nëse dëshiron të shkosh në një Europian, ndeshje të tilla duhet të japësh maksimumin.

Mendoj se duhet të luajnë në mirë se në ndeshjen e parë. Pjesa e parë ndaj Shqipërisë në Pragë tregoi se keni një mbrojtje të fortë. Organizimi i skuadrës tuaj na krijoi shumë telashe. Gjithsesi, unë mendoj se Çekia ka një skuadër me lojtarë në formë të mirë për momentin e mendoj se mund të luajmë sigurisht më mirë se në ndeshjen e parë. Është shumë e rëndësishme që ta mbyllim këtë ndeshje me tre pikë dhe më pas duhet të luajmë edhe tre ndeshje të tjera. Dua ta theksoj se fokusi duhet të jetë vetëm te Shqipëria sepse siç po rezulton, kjo është sfida më e rëndësishme e këtij grupi eleminator.

Organizimi dhe disiplina e skuadrës tuaj e kombinuar me lojtarët e mirë kanë treguar se keni një skuadër shumë të mirë. Nuk jeni rastësisht në krye të klasifikimit të grupit dhe tashmë edhe kandidatë kryesorë për të shkuar në europian. Mendoj që në këtë grup nuk ka ndeshje të lehta, e as për Poloninë nuk ishte kështu. Do të jetë shumë interesante situata në këtë grup.

Ai (Silvinjo) ka luajtur edhe vetë futboll, prandaj e ka më të lehtë dhe e di se çfarë kërkojnë lojtarët. Kryesorja është që lojtarët e tij e ndjekin atë verbërisht dhe kjo duket te rezultatet, sepse në fund të fundit ju jeni skuadra që kryesoni grupin. Ishte një zgjedhje e mirë nga ana juaj t’ia besonit ekipin Silvinjos i cili po bën një punë të mirë”, ka thënë Daniel Pudili.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat