Marota: Vazhdojmë me ciklin fitues

Futboll

Marota: Vazhdojmë me ciklin fitues

Më: 27 tetor 2023 Në ora: 22:50
Inzaghi e Marota

“Interi e filloi këtë sezon me vetëdijen e të qenit zëvendëskampion i Europës, me krenarinë për krijimin e një cikli fitues dhe me synimin për ta ruajtur atë.

Ekipi u ndërtua rreth trajnerit tonë të shkëlqyer, Simone Inzagi, të cilit dua t’i dërgoj urimet e mia për rezultatet e marra, trofetë e fituar në këto 2 vite me ne dhe rrugëtimin e lavdishëm europian. Simone ka treguar se di të ndërtojë një grup të bashkuar dhe i ka dhënë skuadrës një lojë moderne dhe ofensive.

Zgjatja e fundit e kontratës është falë punës së tij dhe dëshmon gjithë besimin që klubi ka tek ai”. Kështu e ka nisur administratori i deleguar i Interit, Xhuzepe Marota, fjalimin e tij gjatë miratimit të bilancit të sezonit 2022-2023, duke komentuar më pas edhe objektivat e klubit gjatë këtij sezoni.

“Ne i kemi dhënë trajnerit tonë një skuadër të kompletuar dhe shumë konkurruese”, tha Marota duke vazhduar: “Ne kemi identifikuar si përforcime disa talente të rinj që tashmë po tregojnë potencialin e tyre të madh dhe i kemi integruar me një sërë kampionësh me përvojë, të cilët do të jenë në gjendje të japin kontributin e nevojshëm në një sezon që do të na shohë sërish të angazhuar në të gjitha frontet.

Së fundmi, do të doja të falënderoja presidentin Stiven Zhang dhe pronësinë tonë, të cilët kanë garantuar mbështetjen maksimale ekonomike të nevojshme për të konfirmuar Interin tonë konkurrues në nivelet më të larta në Itali dhe Europë.

Fillimi i sezonit ka qenë jashtëzakonisht pozitiv: jemi të parët në tabelë, pas 9 javësh dhe jemi në krye të grupit tonë në Ligën e Kampioneve. Objektivat për ne nuk ndryshojnë. Duam të vazhdojmë të fitojmë dhe të ndjekim një ëndërr të mrekullueshme për t’ju dhënë të gjithëve një sezon fantastik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat