Kërkon mesfushorin që aktivizohet në Championship

Futboll

Kërkon mesfushorin që aktivizohet në Championship

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 11:09
Barcelona

Prej kohësh, paratë janë shndërruar në një telash për Barcelonën. Drejtuesit e katalanasve janë gjithnjë me “laps e letër” kur vjen puna te merkato teksa “gjuajnë” në pjesën më të madhe të kohës për lojtarë që janë në fundin e kontratës dhe mund të transferohen në Spanjë me parametër zero.

Kështu është edhe rasti i fundit me blaugranat që kanë “rënë në gjurmët” e Wilfred Ndidi. Ky i fundit luan si mesfushor edhe aktivizohet në Championship me Leicester.

Parametrat e 26-vjeçarit janë të shkëlqyera dhe mund t’i ofrojë Barcelonës “muskujt” që i mungojnë në repartin e mesfushës.

Ajo që e bën më tërheqës Ndidi, është pikërisht fakti se lojtari është në vitin e fundit të kontratës me “Dhelprat” dhe në verë do të jetë i lirë për të zgjedhur të ardhmen e tij.

Te Barça kanë nisur që tani të interesohen për Ndidi, teksa nigeriani cilësohet një futbollist që nuk e meriton të aktivizohet në Championship, por që mbeti aty pasi nuk arriti akord me asnjë klub në merkaton e verës. Në këtë sezon, mes Championship dhe Kupës së Ligës, mesfushori numëron 15 paraqitje duke shënuar tre gola e asistuar në katër raste.

Barcelona ka tentuar edhe më herët të firmosë me Ndidi, por Leicester pretendonte 61 milionë paund për lojtarin.

Megjithatë, katalanasit tashmë kanë shansin ta transferojnë pa asnjë kosto, edhe pse duhet të bëjnë llogari me konkurrencën pasi Ndidi është një emër që qarkullon edhe në klube si Bayern Munich, Juventus apo Atletico Madrid.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat