Resuli nis punën tek Flamurtari

Futboll

Resuli nis punën tek Flamurtari

Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 22:06
Resuli

Nuk ka zgjatur shumë mungesa e një trajneri në stolin e Flamurtarit, pasi një ditë pas shkarkimit të Emiljano Çelës, klubi ka zyrtarizuar trajnerin e ri dhe është Dritan Resuli ai që merr drejtimin e skuadrës vlonjate.

Akordi ishte arritur që të hënën në fakt, por formalitetet u kryen të mërkurën, teksa trajneri u prezantua para medieve nga Drejtori sportiv i Flamurtarit, Alfred Ferko, i cili tregoi shkakun që zgjodhën pikërisht 47-vjeçarin në stol, ndërsa sqaroi edhe çështjen e objektivave, teksa misioni “Superiore” mbetet i pandryshuar.

Dritan Resuli është larguar nga Flamurtari në shtator të 2022-shit, e megjithatë kurrë nuk është ndier i shkëputur, pasi e ka ndier veten pjesë të kuqezinjve dhe kësaj i ka mëshuar edhe gjatë deklaratës së dhënë pas rikthimit, teksa theksoi se do të punojë shumë dhe sidomos në anën psikologjike të skuadrës.

Krahas tij si zëvendëstrajner do të jetë ish-futbollisti i vlonjatëve, Ditmar Bicaj. Resuli dhe Bicaj kanë nisur menjëherë nga puna me objektivin e klubit që mbetet i njëjtë, rikthimi i Flamurtarit në Superiore.

Të enjten ata ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me skuadrën, në përgatitje për sfidën e radhës që vlonjatët do të zhvillojnë në shtëpi përballë Kastriotit. Kjo ndeshje luhet të shtunën pasdreke, duke nisur nga ora 13:30, ndërsa Flamurtari mban vendin e 4-t në renditje, me 24 pikë, 8 më pak se Bylisi kryesues, por dy më pak sesa Elbasani i vendit të dytë, teksa vetëm dy vendet e para ngjiten automatikisht në Kategorinë Superiore, ndërsa skuadrat nga vendi i 3-të, në të 6-in përfshihen në “play-off”-in për t’u përballur me të 8-tën e Kategorisë Superiore, që do të përcaktojë se cila skuadër do të mbetet në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat