Mehmeti: Fitoret na ngrohin

Futboll

Mehmeti: Fitoret na ngrohin

Më: 7 dhjetor 2023 Në ora: 15:26
Mehmeti

Jo vetëm kualifikimi. Për të 5-tën ndeshje radhazi Dinamo nuk ka pësuar gol dhe ky fakt e ngroh gjithmonë e më tepër trajnerin e Dinamos, Dritan Mehmeti, ndërsa pjesa ku mbetet për të punuar është konkretizimi i aksioneve.

Pas ndeshjes me Orikun, trajneri i bluve për “Panorama Sport” u shpreh i kënaqur. “Ishte një ndeshje që duhej ta kalonim dhe arritëm të kualifikoheshim. E rëndësishme është që vazhdojmë të mos pësojmë gol, ky është një plus për ne.

Vendosa të bëja rotacion, duke aktivizuar disa titullarë dhe duke u dhënë hapësirë lojtarëve që nuk kanë luajtur shumë, apo atyre që vijnë nga dëmtimet, siç është rasti i Smaçit dhe Mesës. Kishim edhe mungesa, ku është shtuar edhe Prodani tashmë.

Në pjesën e dytë pastaj u dhamë mundësinë edhe të tjerëve për të marrë ngarkesën e duhur. Jam i kënaqur nga fitorja dhe fakti që e ruajmë rrjetën të paprekur siç e thashë, por duhet të punojmë që të përmirësohemi edhe në finalizim, në konkretizimin e aksioneve tona. Nuk mund të them se është ngërç sulmi, pasi Dinamo sulmon në bllok.

Tani duhet të punojmë për ndeshjen me Vllazninë që të shkojmë atje sa më të përgatitur.

Laçi? Të shohim deri atëherë, është sërish me një ndeshje teke dhe në fushën e tyre, por ka kohë për atë sfidë. Vëmendja jona është vetëm te ndeshja me Vllazninë tani”, mbylli Dritan Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat