Reichart: Po nis një epokë e re! Superliga, një mundësi e artë për klubet

Futboll

Reichart: Po nis një epokë e re! Superliga, një mundësi e artë për klubet

Më: 23 dhjetor 2023 Në ora: 11:30
Reichart

Po nis një epokë e re në futboll. Në një intervistë për “Sportmediaset”, Bernd Reichart, CEO i “A22 Sports”, shoqëria që do të organizojë Superligën europiane, tregon projektin që do të lindë pas vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, që i hapi rrugën krijimit të kompeticioneve të reja ndërkombëtare.

“Jam shumë iI bindur për këtë projekt dhe tashmë gjërat janë të qarta. Klubet do ta kuptojnë, kush më parë e kush më vonë, por do të kuptojnë se me Superligën kanë një mundësi të artë. Një mundësi që do të jetë vendimtare për të ardhmen e tyre.

Ne e dimë që ka një problem të madh në futbollin aktual. Kompeticionet e reja europiane mund të kontribuojnë shumë për të përmirësuar situatën ekonomike të klubeve. Po nis një epokë e re në futboll”, ka thënë Reichart.

Drejtuesit e “A22 Sports” kanë theksuar se ndeshjet do të jenë falas në televizion, një risi absolute.

“Jemi të bindur se ndeshjet më të mira, ku në fushë zbresin lojtarët më të mirë, ndiqen nga miliarda njerëz në botë. Kjo është një mundësi e madhe, platformat që transmetojnë live dhe teknologjia e lartë që përdoret sot mund të na ndihmojnë.

Futbolli i madh në një platformë gratis do të elimiojë edhe piraterinë televizive, që sot është një problem i madh.

Superliga është një projekt që i rezervohet vetëm klubeve europiane. Klubet arabe nuk do të marrin pjesë në këtë turne”, ka thënë mes të tjerash Bernd Reichart.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat