Trajneri i kombëtares spanjolle rinovon kontratën para Europianit

Futboll

Trajneri i kombëtares spanjolle rinovon kontratën para Europianit

Më: 9 janar 2024 Në ora: 18:37
Luis De La Fuente

Euro 2024 po afrohen dhe padyshim çdo ekip që shkon drejt këtij turneu dëshiron që të jenë i qetë në çdo aspekt, sidomos sa i përket të ardhmes të atyre që kanë për detyrë të drejtojnë skuadrat gjatë turneut, trajnerëve.

Kështu, shumë federata kanë nisur të nënshkruajnë marrëveshje të reja me trajnerët përkatës të ekipeve që kanë shkuar në Europian, ndërsa ka të tjerë si Silvinjo që nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar zgjatjen e kontratës.

Por një rival i Silvinjos dhe Shqipërisë në grupin e EURO 2024, Spanja, duket se ka zgjidhur dilemat për të ardhmen. Luis De La Fuente, do të vazhdojë të jetë trajneri i përfaqësueses iberike edhe përtej EURO 2024, më saktësisht deri në përfundimin e Botërorit 2026.

Sipas mediave spanjolle, trajneri dhe federata kanë gjetur akordin dhe shumë shpejt do të formalizojnë marrëveshjen mes tyre.

Pritet që firma në kontratën e re të bëhet publike me një ceremoni në muajin mars, para ndeshjeve miqësore që do të luajë Spanja. Por edhe nëse nuk kryhet në ato ditë, palët janë plotësisht dakord mbi të gjitha kushtet dhe firma do të bëhet efektive gjithsesi para se të nisë turneu në verë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat