Elbasani fiton me përmbysje ndaj Korabit

Futboll

Elbasani fiton me përmbysje ndaj Korabit

Më: 19 janar 2024 Në ora: 20:07
Pamje nga ndeshja

Pas pushimeve të fundvitit, Kategoria e Parë u rikthye në fushë me sfidën hapëse të javës së 17, atë mes Elbasanit vendas dhe Korabit.

Ndeshja përfundoi me fitoren e vendasve me shifrat 2-1, teksa për skuadrën e trajnerit Nevil Dede ajo ndaj dibranëve rezultoi të ishte një sfidë mjaft e luftuar.

Për ta bërë edhe më të “hidhur” maloren, Korabi kaloi i pari në avantazh me anë të Kasallës në minutën e 31. Megjithatë, vendasit u kundërpërgjigjën pas 10 minutash kur Karakaçi ekzekutoi saktësisht një 11-metërsh. Pjesa e parë u mbyll kështu në barazimin 1-1.

Në fraksionin e dytë, vendasit u shfaqën më kërkues dhe gjetën golin e fitores në minutën e 55. Ishte Bledar Lila ai që shënoi me kokë duke mposhtur portierin Qyrani.

Nëntë minuta para fundit të ndeshjes, miqtë mbetën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Taulant Markut duke e bërë kështu të pamundur të paktën barazimin e takimit.

Në këtë formë, Elbasani mori tre pikët e plota dhe barazoi Bylisin në krye me 39 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Korabi mbetet në vendin e gjashtë me 23 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat