Refuzojnë 650 mijë euro për Christian Mba

Futboll

Refuzojnë 650 mijë euro për Christian Mba

Më: 26 janar 2024 Në ora: 12:26
Pamje nga një ndeshje

Partizani ka refuzuar një ofertë prej 650 mijë euro për sulmuesin Christian Mba. Në tryezën e të kuqve ka mbërritur një ofertë nga klubi slloven NK Celje për sulmuesin nigerian. Kryesuesit e kampionatit slloven kanë ofruar 350 mijë euro direkt në arkat e kampionëve shqiptar dhe 300 të tjera në formë bonusi për arritjet e lojtarit dhe klubit.

Partizani e ka refuzuar këtë ofertë duke u kundërpërgjigjur me një kërkesë prej 650 mijë eurosh direkt pa përfshirë bonuset, raporton shtypi i shkruar. “Demat” janë të mbipoulluar në sulm dhe drejtuesit janë të gatshëm të futen edhe në negociata për të ulur çmimin, por e gjitha mbetet për t’u parë.

Christian Mba erdhi me shumë bujë teksa u ble për 180 mijë euro nga Trepça ’89, por deri tani nuk ka dhënë më të mirën e tij, shkak edhe dëmtimesh që e kanë mbajtur gjatë jashtë fushës së lojës. E sigurt është që lojtari do të largohet pasi me Xhuliano Skukën në ekip, minutat do të reduktohen akoma më shumë.

Partizani ka një marrëveshje paraprake me Teutën për ta huazuar në Durrës së bashku me Prekën, por një ofertë e majme si kjo ia merr ‘mendjen’ të gjithve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat