Lleshi: Elbasani luan edhe për tifozët, radha të mposhtim Luzin

Futboll

Lleshi: Elbasani luan edhe për tifozët, radha të mposhtim Luzin

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 11:25
Pamje nga një ndeshje

Elbasani e ka të ndaluar të bëjë hapa fals në këto momente, për më tepër në shtëpi dhe me kundërshtarë që në letër janë më inferiorë se verdheblutë.

E tillë është situata në sfidën që do të luhet sot me Luzi 2008 në “Elbasan Arena”. Situata në kampin elbasanas paraqitet e qetë. Grupi është i plotë dhe ka shpresa që të rikthehet të marrë minuta edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës, Bedri Greca, i cili këtë sezon nuk ka luajtur asnjë ndeshje për arsye dëmtimi. Morali në ekip është i lartë, pasi vijnë pas fitores në kampionat ndaj Tomorit në transfertën e Beratit.

LLESHI – Një nga futbollistët që ka rezultuar efikas në ndeshjet e Elbasanit është edhe sulmuesi Arsen Lleshi. Edicionin e kaluar ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës, ndërsa këtë sezon është duke shënuar gola vendimtarë. Në katër rastet që ka realizuar, ekipi ka arritur të marrë pikët e plota, e fundit ndaj Tomorit në Berat. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes me Luzin, Lleshi pohon se skuadra nuk do të gabojë dhe do të dijë të marrë me vete tri pikët.

“Kemi hyrë në një fazë vendimtare të kampionatit dhe duhet të gabosh sa më pak. Ne vërtet kemi për momentin një distancë sigurie, por mjafton një vetëkënaqësi për të na vënë në rrezik. Për këtë arsye, ndeshjen me Luzin e kemi vlerësuar maksimalisht, siç kemi bërë gjithnjë deri më tani.

Është një përballje që ka vlerën e tri pikëve, për më tepër që në fushën tonë nuk mund t’i lejojmë vetes të bëjmë gabime. Në shtëpi kemi detyrime edhe karshi tifozëve dhe duhet t’i kënaqim me rezultat dhe lojë”, u shpreh Lleshi, i cili është aktivizuar në 19 ndeshje këtë sezon me verdheblutë.

Sa i përket vendit të parë, Lleshi pohon se verdheblutë nuk do të dorëzohen derisa të arrijnë këtë objektiv.

“Shpallja kampion është një stimul më shumë sa i përket ngjitjes në elitë dhe ne do ta synojmë deri në fund. Megjithatë, nuk është koha tani për të bërë llogari dhe nuk po e mendojmë këtë gjë. Llogaritë bëhen ndeshje pas ndeshje, mjafton të fitojmë një nga një ndeshjet e radhës dhe në fund të shohim se deri ku do të arrijmë”, u shpreh sulmuesi Arsen Lleshi për “Panorama Sport” para sfidës me Luzin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat