Allegri: Donit titullin, tani s’dua të dëgjoj më këtë gjë

Futboll

Allegri: Donit titullin, tani s’dua të dëgjoj më këtë gjë

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 20:58
Masimiliano Allegri

Në shtëpinë bardhezi është koha për të ul ëritur, për të zgjuar disi nga letargjia skuadrën, pas daljeve të fundit zhgënjyese.

Për të shkundur ambientin ka menduar Masimiliano Allegri, i cili ka thirrur në raport futbollistët e tij dhe ka ndritur zërin, për të nënvizuar disa koncepte thelbësore dhe për të shënjuar rrugën që duhet ndjekur tani e në vazhdim dhe mbi të gjitha sesi të kalohet ky moment i komplikuar.

Në një bisedë të gjatë përpara Vlahoviçit me shokë, të zbuluar nga torinezja “TuttoSport”, Alegri ka fshirë përfundimisht fjalën “titull”, ndoshta ajo që dëmtoi edhe më shumë skuadrën, përpara se të kuptonte sesa i fortë ishte Interi sivjet. Ose të paktën, që vetë juventinët nuk ishin ende në nivelin e Interit:

“Ëndrra e titullit ishte e bukur sa zgjati, por tani mjaft më me këtë mendim dhe mbi të gjitha mjaft më me pengje. Te Juventusi sigurisht që asnjë nuk duhet të kënaqet me pak, por në të njëjtën kohë duhet të dijë që të pranojë dhe jetojë me realitetin. Objektivi ynë ishte zona Champions dhe vendi i dytë që e kemi merituar deri tani. Më shumë se kaq nuk dua të dëgjoj më. Madje, tani e në vazhdim sfida jonë duhet të jetë me Milanin që na ndjek nga pas, por edhe me skuadrën e vendit të katërt dhe sidomos të pestë, që do të kërkojë të na rrëmbejë vendin në Champions.

Sigurisht që titulli mund të dukej një objektiv, por nuk është se ishte i sigurt. Madje, pikërisht ndalesa për këtë objektiv duhet të na zgjojë dhe të na bëjë të kuptojmë se cila është rruga që kemi bërë deri tani. Prandaj, nëse doni të nderoni veten, mua dhe gjithçka kemi planifikuar, nderoni këtë vend të dytë të arritur me meritë, i cili gjithsesi do të jetë një sukses në fund, nëse e ruajmë”, ishin fjalët e trajnerit të Juventusit, të paktën sipas “TuttoSport”, por gjithashtu të konfirmuara edhe nga “Gazzetta dello Sport”.

Shkurt, Alegri është i lodhur që sa herë mendon që gjërat që ai kërkon janë ngulitur fort në grup, papritur ndodh një frenim shumë i fortë dhe i rrezikshëm që hedh në erë shumë prej planeve apo edhe gjërave të mira të ofruara.

Por tani shpresohet që pas barazimit me Empolin në shtëpi, humbjes me Interin në “San Siro”, disfatës me Udinezen sërish në Torino dhe barazimit në Verona, të paktën kundër Frozinones të shihet një Juventus ndryshe dhe pse jo të nisë një cikël të radhës fitoresh, për të mbrojtur atë vend të dytë që sigurisht është i rëndësishëm, duke parë se me Interin sivjet, vështirë se dikush mund të matet. As “Zonja e Vjetër” për momentin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat