Vedat Muriqi deklarohet pas ditës së parë të stërvitjeve: Kosova po hap një faqe të re

Futboll

Vedat Muriqi deklarohet pas ditës së parë të stërvitjeve: Kosova po hap një faqe të re

Më: 18 mars 2024 Në ora: 20:48
Vedat Muriqi

Përfaqësuesja e Kosovës sot (e hënë) ka mbajtur seancën e parë stërvitore nën urdhrat e përzgjedhësit të ri Franco Foda.

Kosova do t’i luajë gjatë muajit mars dy miqësore me Armeninë (22 mars) dhe Hungarinë (26 mars).

Në mesin e lojtarëve të ftuar për këto dy ndeshje ishte edhe sulmuesi Vedat Muriqi i cili ka thënë se Kosova po hap një faqe të re.

“Ishte dita e parë e stërvitjeve dhe dita që u njoftuam përsëafërmi të gjithë me stafin e trajnerëve. Do e hapim një faqe tjetër dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë që ta mësojmë taktikën dhe kërkesat e trajnerit. Në vizitën që trajneri Foda më bëri në Spanjë e kam njoftuar që grupi është i uritur për fitore”, ka thën Muriqi për faqen zyrtare të FFK-së.

29-vjeçari ishte një ndër lojtarët më të mirë të Kosovës në kualifikimet për Euro 2024, duke shënuar tre gola dhe duke bërë një asistim në shtatë ndeshje të zhvilluara.

Këtë sezon ai po luan rregullisht tek Mallorca në kampionatin spanjoll aty ku po tregon një formë të lartë, e cila shpresojmë se do ta përcjell edhe tek Kosova.

Deri në këtë fazë të sezonit, Muriqi ka gjetur rrugën e rrjetës në pesë raste, ndërsa ka kontribuar edhe me dy asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat