Edhe një stadium ndihmës në Komunën e Shtimes

Futboll

Edhe një stadium ndihmës në Komunën e Shtimes

Më: 26 mars 2024 Në ora: 08:10
Foto ilustrim

Punimet për rinovimin e stadiumit aktual të Shtimes veçse kanë filluar, projekt ky që përfshin ndërtimin e zhveshtoreve të reja, tribunave të reja dhe të gjithë infrastrukturës përcjellëse.

Stadiumi i qytetit të Shtimes u bë me bar artificial, gjë që i kushtoi Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Komunës së Shtimes plot 250 mijë euro. Ndërkaq, rinovimi i tërësishëm i tij dhe ndërtimi i zhveshtoreve dhe tribunave është projekt që e kap shumën e 2.4 milionë eurove.

Në përurimin e fushës me bari artificial të këtij stadiumi, prezent ishin krerë të ndryshëm të institucioneve vendore, përfshi presidentin e FFK-së, Agim Ademin dhe kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliun. Ky i fundit ka thënë për KosovaPress, tha se po mendohet që të bëhet një stadium ndihmës, që do t’i shërbejë klubeve të rinjve dhe juniorëve.

Aliu: Po mendojmë të bëjmë investime në një stadium ndihmës, për juniorë dhe klubet e të rinjve

“Realisht Komuna e Shtimes e ka edhe një stadium që quhet Stadiumi Historik sepse atje në kohërat më të vështira është zhvilluar futbolli, është në një paralagje time, përkatësisht në Lagjen e Pajtimit, dhe ne mendojmë që krahas këtij stadiumi që është stadiumi primar kryesor i futbollit në Komunën e Shtimes, të bëhen edhe disa investime në një stadium që quhet stadium ndihmës, sepse kemi edhe klube të rinjve, juniorëve që vetëm një stadium nuk i përmbush të gjitha kërkesat dhe nevojat që kanë. Po shohim bashkë me Federatën në këtë rast, por edhe me ministrinë dhe Komunën e Shtimes, që bashkërisht t'i mbledhim fuqitë edhe ta kemi edhe një stadium ndihmës përveç këtij që po bëhet aktualisht”, tha Aliu.

Ndërtimi dhe rinovimi i stadiumit të qytetit në Shtime është në kuadër të projektit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), çdo 45 ditë nga një fushë e futbollit, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit (MKRS) dhe Komunën e Shtimes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat