Rydiger: Nuk lejoj askënd të ofendojë besimin tim islam

Futboll

Rydiger: Nuk lejoj askënd të ofendojë besimin tim islam

Më: 29 mars 2024 Në ora: 19:10
Rydiger

Qendërmbrojtësi i Realit të Madridit, Antonio Rydiger, paraqiti një ankesë në Prokurorinë e Berlinit kundër gazetarit Julian Raiqelt për lidhjen e një gjesti në një foto të tij me grupin terrorist ISIS.

“Për të gjithë ata që nuk duan ta njohin përshëndetjen islamike të Antonio Rydigerit si një përshëndetje islamike: Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e quan këtë gjest ‘gishti i ISIS’ dhe sheh në gishtin tregues një shenjë të qartë të islamizmit”, ka publikuar Raiqelt në rrjetet e tij sociale.

Imazhi për të cilin ish-gazetari i gazetës “Bild” ankohet është një postim i mbrojtësit të Realit si një përshëndetje për muajin e shenjtë të Ramazanin për besimtarët muslimanë. “I Plotfuqishmi na pranoftë agjërimin dhe lutjet tona”, nënvizoi Rydiger përbri fotos së tij.

Por pas polemikave të ngritura, madrileni ka folur për “Bild” ku ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur. “Gjesti që kam përdorur quhet gishti ‘tawhid’. Në islam ky konsiderohet simbol i unitetit dhe njëshmërisë së Zotit. Gjesti është i përhapur në mesin e myslimanëve në mbarë botën dhe vetëm ditët e fundit Ministria Federale e Brendshme e ka klasifikuar si jo problematike”, theksoi ai.

Lojtari i Realit e njeh fenë e tij, duke shpjeguar: “Si një mysliman i devotshëm, unë praktikoj besimin tim, por distancohem me vendosmëri nga çdo lloj ekstremizmi dhe akuza për islamizëm. Dhuna dhe terrorizmi janë absolutisht të papranueshme. Unë mbroj paqen dhe tolerancën. Respekti dhe toleranca janë parime themelore që ne të gjithë i përfaqësojmë në familjen tonë”.

Më pas mbrojtësi i Gjermanisë dhe Realit ka reaguar me ashpërsi për paragjykimet ndaj tij dhe besimit që praktikon. “Ndoshta i kam dhënë mundësi palëve të treta të keqinterpretojnë gjestin tim. Por për një gjë jam i sigurt, nuk do të lejoj kurrë të paragjykohem, ofendohem apo denigrohem si islamist. Ndaj iu drejtova gjykatës”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat