Gazeta e madhe spanjolle kritikon Vedat Muriqin, ja arsyeja

Futboll

Gazeta e madhe spanjolle kritikon Vedat Muriqin, ja arsyeja

Më: 12 prill 2024 Në ora: 18:50
Vedat Muriqi

“Goli i fundit i një sulmuesi ishte nga Muriqi kundër Rayo Vallecanos më 11 shkurt”. Kështu e nis shkrimin me kritika për sulmin e Mallorcas gazeta e madhe spanjolle “Marca”.

Sulmuesi kryesor i Mallorcas është Vedat Muriqi i Kosovës.

Muriqi vlerësohet si një prej më të mirëve në skuadrën spanjolle. Por, po i mungojnë golat. Muriqi golin e fundit me Mallorcan e kishte shënuar më 11 shkurt kundër Rayo Vallecanos në shtëpi. Sulmuesi shtatlartë i Kosovës pati shënuar në minutën e 91-të, për fitoren 2:1, në ndeshjen e xhiros së 24-t të La Ligas.

Mallorca, megjithatë, ka arritur rezultate pozitive, edhe pa shënimin e golave nga sulmuesit e vet. Ditë më parë humbi në finale të Kupës së Mbretit pas ekzekutimit të penalltive nga Athletic Bilbao. Ndërkohë i ka shtuar edhe gjashtë pikë në gjashtë ndeshjet e fundit të ligës, por golat nuk ishin të shënuar nga sulmuesit e ekipit.

Sulmuesit Muriqi, Abdon Prats dhe Cyle Larin nuk kanë gjetur rrugën e golit, por skuadra ka funksionuar mirë në arritjen e objektivave, falë goditjeve të dënimit. Merita të mëdha gazeta spanjolle në këtë aspekt i jep trajnerit Javier Aguirre.

“Vedat Muriqi është njeriu kryesor i sulmit të Aguirres.

Është referencë e sulmit dhe nisjes së mbrojtjes. Qëkur pësoi lëndim me Kosovën, lufta dhe dedikimi i tij kanë qenë të njëjta, por jo edhe instinkti i tij i shënimit të golave.

Në tetë ndeshjet e fundit si titullar, ai ka realizuar vetëm një herë. Dy muaj më parë realizoi ndaj Rayo Vallecanos me kokë në kohën shtesë dhe kontribuoi në fitore”, ka shkruar “Marca”.

Larin nuk po shkëlqen këtë edicion, edhe pse u transferua si yll. Hera e fundit që ai ka shënuar në ligë ka qenë kundër Celtas dhe i kompleton tre muaj pas dy ditësh qëkur e festoi golin e fundit.

Prats nuk ka shënuar në ligë që prej nëntorit kundër Cadizit. Por dallon nga rasti i Larinit.

Sulmuesi Prats nuk ka pasur shumë mundësi që prej ardhjes së sulmuesit kanadez, Larin, dhe do të ishte e padrejtë që ai të kritikohej për numrin e vogël të golave.

Abdon nuk ka qenë titullar në ligë që prej muajit janar, ndërsa Larin ka qenë gjashtë herë titullar nga ajo kohë.

Mallorca ka problem të qartë që duhet ta zgjidhë për qëndrim më të rehatshëm në La Liga.

Mundësinë e parë duhet ta shfrytëzojë që në ndeshjen kundër Real Madridit të shtunën.

Mallorca është në vendin e 15-të me 31 pikë, gjashtë më shumë se Cadizi që aktualisht zë pozitën e 18-të, që nuk siguron mbetjen në elitë.

29-vjeçari Muriqi në edicionin aktual ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar dy asistime në 26 paraqitje në të gjitha garat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat