Veseli: Më vjen inat kur thonë se Spanja dhe Italia janë më të fortë se ne!

Futboll

Veseli: Më vjen inat kur thonë se Spanja dhe Italia janë më të fortë se ne!

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 14:46
Pamje nga konferenca

Ishte paralajmëruar se në konferencë për shtyp do të dilte Taulant Xhaka dhye Ergys Kaçe, sot në mesditë, por para gazetarëve janë shfaqur dy të tjerë. Frederik Veseli dhe Emanuele Ndoji kanë dhënë mendimet e tyre për dy ndeshjet e fundit kualifikuese në grup, ndaj Spanjës dhe Italisë, dy kundërshtarë shumë të fortë, ndaj të cilëve nuk do të luhet me “flamurin e bardhë” ngritur, raporton telesport. Mbrojtësi i Empolit në Itali, Veseli, nënvizoi në fjalën e tij: “Po përgatitemi si gjithmonë. Kemi përpara dy kundërshtarë shumë të fortë. Do të japim maksimumin. Do të zhvillojmë lojën tonë dhe do ta shohim si do të na ecë. Nuk ka asnjë ndarje mes lojtarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, sepse nuk është e nevojshme. Ne jemi të gjithë një skuadër. Prezenca e Lorikut (Canës) ishte shumë e fortë, por ne jemi skuadër dhe do të punojmë njëri me tjetrin për kombëtaren. Nuk ka asnjë ndryshim.

Normal, prezenca e tij mungon, por ne jemi gjithmonë këtu. Spanja dhe Italia janë skuadra shumë të forta, thonë se janë më të mirat në botë, por kjo vlen derisa të zhvillohet ndeshja. Pasi të fillojë ndeshja, presioni do të jetë mbi to, sepse duan të konfirmojnë pretendimet. Ne do të synojmë për ta fituar lojën, por e dimë se do të jetë e vështirë. Punojmë dhe japim maksimumin. Nuk shkojmë në Spanjë me mendimin se do të humbin. Edhe ne i kemi evidentuar pikat e dobta të Spanjës dhe Italisë, ndaj do të provojmë. Të dyja janë ndeshjet janë të bukura, nuk kanë shumë ndryshim. Këto dy ndeshje janë të mira për t’u luajtur nga secili prej nesh. Për mua ka rëndësi të jem në fushë dhe të jap maksimumin për kombëtaren, sa herë më aktivizojë trajneri. Në këto dy ndeshje mendoj se kemi shanse, sepse kemi kualitet. Pastaj, në futboll mund të ndodhë edhe diçka e befasishme. Kur luajtëm në shtëpi me Spanjën kemi bërë disa gabime, nuk ishte aq superior kundërshtari, dhe kështu i kemi pësuar golat. Më shumë presion ka Spanja se sa Shqipëria. Ajo duhet të tregojë veten se është më e fortë se ne. Shqipëria do tentojë t’i hapë sa më shumë probleme.

E dimë se Spanja është kampione bote dhe Europe. Golat që pësuam në Shkodër prej saj erdhën nga gabimet tona. Me cilësitë që ka Spanja, vijnë edhe golat, normale. Ne duhet të jemi sa më të organizuar dhe të mundohemi t’i hapim probleme. Ata do të jenë nën presion. Kthimi ndaj Spanjës do të jetë ndryshe, sepse, së pari, nuk është më De Biazi në stol. Ka ardhur trajneri i ri. Panucci na kërkon disa gjëra të ndryshme nga trajneri i mëparshëm. Nuk kemi zhvilluar asnjë modul loje në stërvitje për momentin, le të shohim ditën e ndeshjes si do të paraqitemi. Formacioni? Atë e vendos trajneri. Ai nuk na thotë se kush luan në Itali, ka më shumë mundësi të luajë ndaj axurrëve në Shkodër. Ne jemi të gjithë këtu për të kontribuar për kombëtaren. Pastaj, se kush luan, e vendos trajneri. Besoj se trajneri më ka grumbulluar ngaqë ka besim tek unë. Jam gati për kombëtaren, por e vendos trajneri kush luan. E bëj punën time në maksiumim me skuadrën time në Itali. Nëse trajneri ka nevojë për mua, është mirë. Nëse nuk më përdor, s’ka problem, jam në dispozicion të kombëtares edhe në stol. 

Unë si njeri jam shumë pozitiv dhe kompetitiv. Nuk më pëlqen me shku në një ndeshje duke menduar për humbjen. Për mua s’ka ndryshim ndaj Italisë, Spanjës dhe Lihtenshtejnit. Më vjen edhe pak inat kur të thonë se Italia dhe Spanja janë shumë më të fortë se ne. Ne duhet me tregu veten ditën e ndeshjes. Nëse është dita jonë, edhe mund të fitojmë kundër tyre. Si po kaloj tek Empoli? Për momentin jam i kënaqur. Eshtë ndërru gjithë ekipi, gjithë klubi. Eshtë pak vështirë në kësi raste lëvizjesh të mëdha. E kemi filluar mjaft mirë. Kemi humb në dy ndeshjet e fundit për shkak të eksperiencës, por besoj se do të përmirësohemi avash-avash. Vetë kam pas kontratë me Empolin, por edhe oferta për t’u larguar. Presidenti ka bërë maksimumin, duke më plotësuar pikat e kontratës 4-vjeçare, me objektiv të njëjtë: ngjitje në Seria A. Me punë dhe me vullnet, kemi për t’i arritur objektivat që kemi".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat