Gremio është shumë pranë finales së madhe të Copa Libertadores për vitin 2018. Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni realizuan goditjen e madhe duke triumfuar në gjysmëfinalen e parë ndaj River Plate brenda në mitikun El Monumental në Buenos Aires me një gol të mesfushorit Michel në minutën e 62-të. Mbrojtja e titullit është më pranë tashmë për skuadrën braziliane ndërsa River Plate edhe pse luajti mirë nuk e theu dot mallkimin ndaj ekipit brazilian duke pësuar humbjen e parë pas më shumë se një viti në shtëpi. Përmbysja e rezultatit është një mision shumë i vështirë për skuadrën argjentinase tashmë pasi dihet që faktori fushë vendos shumë në këtë kompeticion. Gjysmëfinalja tjetër luhet sot me Boca Juniors që pret në shtëpi Palmeiras.