Chafik: Kampionati shqiptar është i fortë

Futboll

Chafik: Kampionati shqiptar është i fortë

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 18:44
Chafik: Kampionati shqiptar është i fortë

Chafik Tigroudja është deri më tani një nga surprizat pozitive të këtij kampionati. Mesfushori algjerian me pasaportë franceze ka fituar një vend të rëndësishëm në hierarkitë e trajnerit Armando Cungu dhe është kthyer në një ndër lojtarët kryesor të Kukësit.

Në prag të sfidës ndaj Laçit 26-vjeçari e konsideron një detyrim fitoren edhe për faktin se në këtë sezon blutë nuk arritur të thyejnë asnjë skuadër rivale.

“Unë personalisht nuk e njoh Laçin, sepse nuk isha këtu kur u luajt ndeshja e parë, por me sa kam biseduar shokët e skuadrës besoj se do të kemi përballë një skuadër të mirë dhe nuk do të jetë aspak e thjeshtë, megjithatë duhet ta fitojmë këtë takim, sepse deri më tani nuk kemi fituar me asnjë skuadër rivale dhe duhet ta ndryshojmë këtë trend”, deklaroi Chafik.

Triumfi në kampionatin shqiptar është një nga arsyet që e bindën të vijë në Shqipëri, pavarësisht se për momentin Kukësi ka një shkëputje me kreun e renditjes, Chafik ka besim se skuadra e tij mund të rikuperojë pikët e lëna rrugës.

“Nuk arritëm të fitonim ndaj Skënderbeut e Partizanit, por nuk është se ishim inferiore ndaj tyre, madje patëm rastet tona për të fituar, mendoj se Kukësi e ka potencialin për t’u shpallur kampion. Shpresoj që mos të lëshojmë më pikë rrugës dhe rivalët tanë të gabojnë. Personalisht dua të fitoj kampionatin me Kukësin dhe të luaj në Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi i klubit, por edhe i imi personal, jam këtu për këtë”, u shpreh mesfushori algjerian.

Vlerësimi i franko-algjerianit për kampionatin shqiptar është pozitiv, sidomos përsa i përket betejës sportive, teksa i ka lënë mbresa loja e Skënderbeut.

“Kampionati shqiptar është një kampionat mjaft i fortë, luftohet shumë. Kur luajmë kundër skuadrave si Skënderbeu, luhet futbolli i mirë dhe kjo më pëlqen, ndërsa në ndeshje të tjera është betejë më e ashpër. Kur erdha në fillim, nuk isha në maksimumin e formës fizike, por tashmë ndihem mirë dhe dua ta ndihmoj skuadrën sa më shumë të jetë e mundur”, u shpreh Chafik Tigroudja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat