Prof. Jupa: Fajtorë kryesorë për gjendjen momentale janë institucionet në nivel qendror dhe lokal

Hendboll

Prof. Jupa: Fajtorë kryesorë për gjendjen momentale janë institucionet në nivel qendror dhe lokal

Nga: Kemajl Goca Më: 23 qershor 2019 Në ora: 14:22
Prof. Ismet Jupa

Javën që e lamë pas ka pasur reagime të ashpra nga komuniteti sportiv për shkak që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votuan ligjin për sponsorizim të sportit! Mos miratimi i ligjit për sponsorizim të sportit i ka revoltuar shumë federatat, sportistët dhe të gjithë dashamirët e sportit, megjithatë mbeten me shpresë se ky ligj do të miratohet, për të krijuar një frymëmarrje më të lehtë për të gjitha sportet.

Prof. Ismet Jupa, veprimtar i shquar i sportit, njohës i rrethanave, njëherësh ish selektor i kombëtares së Kosovës në hendboll (femrat) dhe si trajner ka qenë kampion i parë me KH Kastriotin në periudhën e pavarësimit të sportit nga ai serbosllav (1991-1992) dhe po ashtu edhe kampion i parë i pasluftës (1999-2000) me ekip, ka folur për ligjin e sponsorimit të  sportit dhe i ka qartësuar disa gjëra shumë më rëndësi.  

“Gjithë sportistët dhe punëtorët sportdashës, të gjithë janë të interesuar që të kenë lehtësira për zhvillimin e aktivitetit sportiv, gjithashtu është njëra prej atyre për përmirësimin e kushteve të punëtorëve në Republikën e Kosovës.

Unë realisht nuk kam njohuri pse Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar një ligj të tillë për sponsorizim të sportit, në qoftë se këtë e ka bë me arsyetimin se ka pasur vërejtje në at ligj dhe e ka kthyer për korrigjim çdo gjë është në rregull.

Mirëpo, unë mendoj pak më ndryshe, fajtorë kryesorë për këtë gjendje momentalisht janë institucionet në nivel qendror dhe lokal. Drejtoria e sportit me parë lidhja e sporteve, edhe ministria e sportit edhe Komiteti Olimpik që sa vite nuk janë në gjendje me bë një ligj të mirëfilltë për sportin. Duke u bazuar në ligjet e shteteve që kemi në rajon po e përjashtoi Shqipërinë edhe Maqedoninë Veriore, shtetet tjera si Kroacia e Mali i zi kanë ligjet e sportit jashtëzakonisht të mira edhe që munden me avancuar sportin”, thotë prof. Jupa për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Më tutje prof. Jupa tha se duhet organizatat sportive të regjistrohen si organizata sportive.  “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, këto organizata joqeveritare nuk i njeh as si kategori, sporti ynë duke filluar nga KOK-u e të gjitha organizatat tjera janë të regjistruar si organizata joqeveritare.

Duhet të ishte ndryshe, organizata sportive duhet të regjistrohen si organizata sportive.  Mirëpo, vitet të tëra kështu po sillemi edhe pa një zgjedhje për sportin e Kosovës. Si po duken organet kompetente nuk janë shumë të interesuara për avancimin e sportit të Kosovës. Duke u bazuar në ligjet më parë, duke marr parasysh ligjin e Kroacisë dhe të Malit të Zi, ato ligje kanë minimum brenda ligjit 15-16 kapituj, afërsisht 100 Nene, ku në përpikëri definohet çdo gjë që ka të bëjë me avancimin e sportit.

Ne jemi larg këtyre gjërave, se ligji momental i sportit të Kosovës, është një ligj që nuk përfaqëson asgjë. Para disa kohe ministria e sportit i ka propozuar kuvendit ligj për kategorizimin e sportit dhe të sportistëve. I ka propozuar kuvendit ligj për sponsorizim, shtrohet pyetja e një ligjit nëse ka 15-16 kapituj, a thua vallë Kuvendi i Kosovës çdo kapituj të ligjit mbi sportin duhet ta vë ligj.

Askund nuk bëhet, duhet sa më parë të thirret një grup i ekspertëve të lëmive të sporteve, të ekonomisë, drejtësisë dhe ta konkretizojnë një ligj të mirëfilltë për sportin e Kosovës. Vetëm atëherë do të dinin statutet e organizatave sportive dhe rregulloret që kanë të bëjnë me avancimin e sportit në Kosovë. Po i përmendi vetëm disa gjëra që i mungojnë këto vite sportit tonë, mënyra e tanishme e financimit të sportit mendoj se duhet ndryshuar, ministria e sportit, momentalisht financon vetëm federatat e sporteve, mendoj që duhet ky financim të shtrihet edhe të masivizimi i sportit.

Duhet që me ligj që të parashihet puna profesionale në organizatat sportive, duhet që ministria dhe qeveria e Kosovës të nënshkruajë kontratë kolektive për drejtat e sportistëve dhe punëtorëve sportiv.

Duhet që në kuadër të MKRS-së ose drejtorisë sportive të funksionojnë gjyqësori i përhershëm për zgjedhjen e kontesteve mes federatave, organizatave tjera sportive, klubeve dhe sportistëve. Duhet që me ligj të paraqitet sigurimi pensional i sportistëve, të paraqiten me ligj kompensimi material i sportistëve të lënduar gjatë aktiviteteve sportive.  Duhet me ligj të rregullohet kategorizimi i sportistëve amator dhe sportit profesionist. Cilat janë obligimet dhe detyrat ndaj sportit amator dhe ndaj sportit profesionist?

Image

Duhet me ligj të caktohen kompetencat e KOK-ut si organizatë sportive, sportit shkollor, sportit studentor, sportit rekreativ dhe sportit me aftësi të kufizuara. E ceka më herët që më ligj duhet të rregullohet puna nëpër klubet, duhet të rregullohen ndëshkimet ose dënimet e organizatave sportive, për këtë arsye kur definohen këto gjëra edhe përpilohen statutet në bazë të ligjit, nuk ka nevojë për aktivitete tjera, bie fjala sikur para pak kohe del një koordinator për kulturë rini dhe sport dhe shpërndan rregullore të garave të sporteve të ndryshme nëpër shkollat e Republikës së Kosovës.  

Unë mendoj se drejtoria e sportit ka obligim kushtetues sportin ta vë në binarë të mirë që të largohen prej kësaj anarkie që po mbretëron në sportin e Kosovës. Nuk munden me thënë që nuk kemi rezultate sportive, këto rezultate nuk janë në përputhje me potencialin e rinisë që kemi ne sot në Kosovë.

Pra, duhet të them, që duhet krijuar kushte për këta të rinj, që të merren me këto aktivitete sportive, po e përjashtojë xhudon që ka suksese kulminante, kompetetent e sportit por edhe të politikës, po krekosen me rezultatet e futbollit dhe kombëtares. Në vend që të brengosen që asnjë lojtar nga Kampionati i Kosovës nuk merr pjesë në kombëtaren e Kosovës. Ky është një sinjal, një pasqyrë që ministria dhe drejtoria e sportit nga niveli qendror e komunal nuk po krijojnë kushtet për aktivitetet e mirëfillta për sportin e Kosovës”, përfundoi prof. Jupa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat