Kosova tani synon fitoret e para në kualifikimet për Botëror

Hendboll

Kosova tani synon fitoret e para në kualifikimet për Botëror

Më: 8 janar 2020 Në ora: 17:54
Kosova tani synon fitoret e para në kualifikimet për Botëror

Pas rezultateve historike të vitit të kaluar - fitores ndaj Izraelit, barazimit me shije të fitores ndaj Polonisë si dhe paraqitjes së fuqishme ndaj Gjermanisë – Kombëtarja e Kosovës udhëton për në Benevento të Italisë për të bërë hapin tjetër para. Prej të premtes deri të dielen, Kombëtarja jonë i luan ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021 (me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë).

Kualifikimet e kaluara për Botëror nuk ishin të suksesshme për Kosovën. Në janar të vitit 2018, Kosova luajti në Portugali, ndërsa i humbi të tri ndeshjet, me Poloninë, Portugalinë e Qipron. Por prej atëherë Kombëtarja jonë ka ecur shumë përpara.

Është rritur shumë konkurrenca në ekip dhe rrjedhimisht është rritur cilësia. Rezultatet e dëshmojnë këtë. Në Portugali, Kosova kishte pësuar 30:19 ndaj Polonisë. Më 12 qershor të vitit të kaluar, Polonia me shumë fat arriti barazim në Prishtinë (23:23) me gol të shënuar në sekondën e fundit, ndonëse djemtë tanë ishin vazhdimisht në epërsi.

Kosova ishte paraqitur edhe në kualifikimet për Botërorin e vitit 2017. Kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet, por në ndeshjet në shtëpi ishte mbajtur thuajse deri në fund me Lituaninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Sllovakinë.

Kosova tani synon fitoret e para në kualifikimet për Botëror. Për më tepër synon të kalojë plotësisht grupin.
“Synimi në Itali është të kalojmë në fazën e dytë të kualifikimeve. Kemi ekip kualitativ që është në ngritje të vazhdueshme. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze.

Duhet të jemi ambicioz, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tonë”, thotë selektori Taip Ramadani, që vlerësohet lartë për punën që po bënë me Kombëtaren tonë.
Kombëtarja edhe të mërkurën (sot) ushtron në Prishtinë.

Të enjten në mëngjes është udhëtimi për në Benevento të Italisë, ku kombëtarja zhvillon edhe një stërvitje para se të nis me ndeshje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat