Deklaratat pas fitores historike në hendboll

Hendboll

Deklaratat pas fitores historike në hendboll

Më: 15 mars 2021 Në ora: 16:31
Kosova-Handboll

Bujar Qerimi (selektor)

Loja e sotme ka qenë lojë fantastike. Lojë me mend, me motivim shumë të madh. Lojtarët e kanë treguar se pika e fituar të mërkurën në Prishtinë është jashtëzakonisht e merituar dhe e vendosën fatin, dëshirën dhe luftën që e kanë bërë. E gjitha është e merituar.

Kastriot Jupa (hendbollist)

Qershia mbi tortë ka qenë fitorja e sotme. Një fitore me zemër të madhe, në një ndeshje që nuk besoj se kemi luajtur më herët. Me këtë fitore kemi rritur gjasat për t’u kualifikuar që iu prish punë ekipeve tjera që pretendojnë për kualifikim në Evropian.

Haris Berisha (portier)

Kjo fitore ka ardhur që nga fillimi kur jemi mbledhur me ekipin. Që nga aty kemi besuar dhe jemi motivuar shumë nga trajneri i ri që do t’ia arrijmë të marrim rezultat pozitiv. Ne kemi arritur më shumë se që kemi planifikuar.

Egzon Gjuka (hendbollist)

Djemtë e kanë treguar karakterin tonë, shpirtin tonë, që na karakterizon neve si hendbollista. E kemi lënë shpirtin në fushë sonte. Kemi luftuar për këtë shtet. Edhe në Kosovë e kemi bërë të njëjtën gjë. E kemi bërë në të kaluarën, do ta bëjmë edhe në të ardhmen. Mendoj se ishte fitore shumë e merituar kjo. Na mbetet të mendojmë për Malin e Zi, ndeshje të cilën e luajmë në Prishtinë.

Valon Dedaj (kapiten)

Kemi luftuar bashkë. Të gjithë i kemi ndihmuar njëri-tjetrit dhe loja ka qenë shumë e mirë. Askush nuk ka dështuar. As rumunët nuk kanë besuar se do të kthehemi kaq të fortë. Jam shumë i gëzuar për ekipin se si kemi arritur, ku kemi qenë para gjashtë-shtatë viteve dhe ku jemi tani.

Izet Gjinovci (sekretar i përgjithshëm i FHK-së)

Kombëtarja e Kosovës këtu në Bukuresht, në qytetin që edhe Rilindasit shqiptarë e kanë dashur, shkroi historinë më të re të hendbollit të Kosovës. Me këtë fitore të madhe, djelmoshat tanë të cilët dhanë maksimumin dhe janë për çdo lëvdatë, të cilët luajtën me zemër, mençuri por edhe me lojë të bukur, treguan se hendbolli i Kosovës po shkon përpara.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat