Kabashi: Këto janë rrenat e Prishtinës!

Hendboll

Kabashi: Këto janë rrenat e Prishtinës!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 mars 2017 Në ora: 13:57
Kabashi

Prishtina akuzon se ndërprerja e rrymës ka ndikuar që të humbin ndeshjen kundër Trepçës në Mitrovicë. Ish trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi, aktualisht drejton Trepçën, tha se rryma është ndërprerë, por që i ka shkuar përshtati Prishtinës assesi atyre. Sipas tij, këto janë rrena e disa individëve të Prishtinës që mundohen të bëjnë propagandë dhe ta zbehin fitoren shumë të merituar të Trepçës me rezultat 23:22. “Thënë të drejtën loja ka qenë shumë korrekte, Prishtina pjesën më të madhe të kohës e ka pasur epërsinë, por ndeshja luhet 60 minuta, jo 39 apo 40 minuta. Ka pasur një ndërprerje të ndeshjes, kur delegati i ndeshjes ka kërkuar që tifozët ‘Torcida’ të largohen nga tribuna për në pjesën tjetër të tribunës, sepse ishin shumë afër tavolinës zyrtare. Nuk ka pasur asnjë incident të vogël, mendoj se Trepça ka fituar me plotë meritë.  Ka qenë gjithçka në bazë të rregullave të lojës, me polici, me sigurim shtesë privat, bile është ardhur në ndihmë edhe njësia speciale e policisë për shkak se ka pasur më shumë shikues se sa ishte paraparë. Asnjë lojtar nuk u sulmua, asgjë nuk ka ndodhur.

Publiku ka krijuar atmosferë të zjarrtë, ka përkrahur ekipin e zemrës. Publiku anon dhe çfarë bënë në tribuna, është çështja që merren policia. Delegati Istref Sadriu ka kryer punën e vetë me sukses. Nuk ka pasur provokime as nga ana e Prishtinës, e cila të fitonte, do të ishte me meritë. Ata për humbjen mund t’i akuzojnë lojtarët e vetë dhe jo të gjuajnë fajin diku tjetër”, thotë Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Prishtina dyshon se rryma u ndalë me qëllim? “Ajo është rrenë e tyre, sepse ndërprerja e saj mund të ndodhë çdo katër orë, pasi është me sistem digjital. Kështu ka ndodhur edhe në ndeshjet e evropiane që janë luajtur në Mitrovicë, sepse kur reflektori nxehet tepër i duhet ftohja, ndalet vetë, pastaj automatikisht ndezët. Kjo është një propagandë e kulluar e Prishtinës, e disa individëve të tyre që mundohen ta zbehin fitoren tonë të merituar. Sepse Prishtinës i konvenon ndërprerja, pasi që pushuan ata,  kurse Trepça dihet se është më e përgatitur fizikisht dhe nuk na konvenoi ajo ndërprerje. E  dimë se Prishtina një javë pa filluar kampionati kishte nisur përgatitjet, kështu që ndërprerja ishte në favorin e tyre, kurrsesi tonin”, thotë Kabashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat