Kçiku: Ne nuk duhet të presim aq shumë në evropian - Bota Sot
Kçiku: Ne nuk duhet të presim aq shumë në evropian

Hendboll

Kçiku: Ne nuk duhet të presim aq shumë në evropian

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 15:30
Kçiku: Ne nuk duhet të presim aq shumë në evropian

Kryetrajneri i kombëtares U-18 të Kosovës në hendboll, Fadil Kçiku është i kënaqur me punën që po e bëjnë djelmoshat në përgatitjet për paraqitje në kampionat evropian. Kombëtarja U-18 të mërkurën mbrëma merr rrugë për në Austri ku do të paraqitet në kampionatin evropian, Divizioni B. Nën urdhërat e Kqikut, që punon si trajner në Gjermani, kombëtarja U-18 është duke u përgatitur në Gjakovë për ndeshjet e vështira që e presin në Austri. Po në Gjakovë, kombëtarja jonë i ka luajtur dy ndeshje stërvitore ndaj Malit të Zi. Në ndeshjen e parë rezultati ishte 32:29 në të mirë të Malit të Zi, ndërsa në të dytën dallimi në rezultat ishte më i madh. 30:18 e fituan malazezët këtë ndeshje.

“Ne patëm dy lojë miqësore që ishin të mirëseardhura për ne si shtab teknik e poashtu për lojtarët. Provuam disa gjëra në mbrojtje dhe sulm. Ishin dy rezultate të kundërta, që edhe është pritur shkaku i lodhjes dhe përgatitjes fizike, që ndikoi në lojën e dytë. I luajtëm dy ndeshje brenda 20 orëve dhe kjo ishte hera e parë që lojtarët tanë i luajtën dy takime në periudhë aq të shkurtër. Jam i kënaqur me të dy ndeshjet. Provuam gjëra të reja dhe fituan rastin të gjithë 18 lojtarët që i kemi në grumbullim”, ka theksuar kryetrajneri Kçiku.

Kombëtarja jonë në Austri do të ketë përballë kombëtare të forta evropiane dhe trajneri Kçiku është i vetëdijshëm që pritjet nuk janë të mëdha nga gjenerata që është në konsolidim e sipër. Kombëtarja jonë bënë pjesë në grupin B të evropianit që zhvillohet në Austri. Më 10 gusht luan ndaj Holandës. Më 11 gusht takohet me Sllovakinë e më pas me Letoninë, Austrinë e Bullgarinë, para se të zhvillojë ndeshjet për plasman.

“Ne nuk duhet të presim aq shumë në evropian. Koha është e shkurtër për përgatitje, pra për grumbullim dhe ushtrime tekniko-taktike. Kombëtaret tjera ka dy apo më shumë muaj që ushtrojnë së bashku dhe poashtu lojtarët vijnë të përgatitur nga klubet ku luajnë. Për lojtarët tanë të Kosovës është më ndryshe. Për fat të keq në klube nuk punohet mjaftueshëm dhe poashtu ka pushim të gjatë kohor. Kjo bënë që lojtarët të jenë të papërgatitur në aspektin fizik, por ne nuk do të ndalim punën. Do të punojmë dhe do të mundohemi që në evropian të paraqitemi sa më mirë. Këtu në Gjakovë kushtet për punë janë të mira, hoteli dhe salla janë në nivel. Kam hasur në një elan të madh dhe motiv për punë te lojtarët. Kjo është nxitje që të punojmë më shumë me këtë gjeneratë në periudhë më të gjatë. Poashtu duhet të ketë bashkëpunim më të mirë me klubet. Natyrisht federata duhet të falenderohet që bënë të pamundurën që këta lojtarë të ushtrojnë në kushte të volitshme. Por është e domosdoshme që në klube të punohet më shumë dhe që mos të ketë pushim të gjatë”, ka shtuar Kçiku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...