Kurorë sonetesh

Kultura

Kurorë sonetesh

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 00:32
Nexhat Halimi

dardha ka bisht s`është veç fjalë e urtë

ja pse e ndiej dashurinë gjithnjë në gji            

pse e zgjoj veç dritëz shpirti në gjithësi

vetëtimë rreth zemrës gjatë e shkurtë

e fluturon zogu e më pikin dy pikë lot

në udhë të njëjtë ëndrrës te kroi i vjetër

ja pse qaj të kujtoj ec zgjuar as fjetur

fare kurrë të kuptoj a besoj më në zot

kaq kot zanë ndërrojnë stinët kaq kot

e mes qielli shfaqet e njëjta hënë e tretur

unë me duar në frëngji të kërkoj i etur

në pullazet me myshqe dëgjohet `i lirë

ti larg pret mallëngjyeshëm derdh lot

a ka dardha bisht është gjë kaq e mpirë

II ndërmjet detit e qiellit

a ka dardha bisht është gjë kaq e mpirë

herë i mungon prologu herë tjetër epilogu

ndërmjet detit e qiellit bien pupla zogu

e vrasja ndodh gjithnjë në këtë mënyrë

e përmbajtja çilet yllit pyllit deri në krua

pema me zgërbonjë të mos laget në shi

unë të dua e të kujtoj gjithnjë në vetmi

ti ndoshta njëjtë më shpreh dashuri mua

i lidh rruazat prej korali në njërën dorë

e jashtë bie borë e jashtë fryn me tërbim

me lot ndjek akrepat nga lëvizin në orë

ja ik koha e vetmja e cila s`ka dot fillim

ka zjarr të paraprijë diç pa formë e fytyrë

shikimi sall e ndez enigmën e vështirë

III thënie e urtë

shikimi sall e ndez enigmën e vështirë

krijon kala rreth vetes ndizet në frëngji

e mendja të sjell rreth botës në lot e hi

e koha mjekërbardhë përhitet në fakir

 

koha t`i ndërrojë stinët i thërret plakut

cakërrojmë gotat për fat e jetë të gjatë

fat është drita e shfaqur thellë në natë

i ndrit udhët të zgjohemi përsëri gjakut

vetëm në gur patjetër te trung i çarë ulliri

aty nis gjithë ç` ka lënë të jetojë zjarri

molla e kuqe ende derdh aromë tullari

asgjë zanë s` shuhet krejt deri në hiri

kjo nuk është fare veç një thënie e urtë

ura i afron brigjet e i lidh në mur gurtë

IV rrënja e mallit

ura i afron brigjet e i lidh në mur gurtë 

ngjet prej krijimit të gjakut e të zjarrit   

e ndër degëzime vetëtime në hi të tullarit                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             

pemët e lëna vetëm kanë etje të ngurtë

shtatë vatra ndërtoi në arë të huaj im at

i ikur nga kama serbe në pritje rikthimi

në lot zjarr të përhershëm mallëngjimi

shtrirë në vetmi në hi e dhembje të gjatë

askujt nuk i zgjatej dora për refugjatë

pse s`e kanë ruajtur tokën e vet aspak

ja vogëlushe pse zgjohet rrënja mallit

cili është kalliri e cila është udha e zallit

e shpirti e sytë në largësi të pikin gjak

riviera ngjet në lëvizje fryme në oxhak

V kori ilir

riviera ngjet në lëvizje fryme në oxhak

zgjoj në pallatin e dioklicianit korin ilir

shi bie sonte në split apo veç erë e mirë

ja hëna kaq e vdekur ngrirë mbi sokak

e ja unë sonte të kujtoj ty zanë ndër lot

ajo që ka ikur e qartë s`vjen kurrë më

a kthehet koha apo pëshpërit etjes `i zë

ndoshta je ti a klithja me jehonë ik kot

ti ndoshta fle në këtë pikënatë të verës

as e mendon ujkun të përvidhet te vathi

ja veç muzikë të krijojnë fyejt e erës

unë bëj gati bukën me ca rriska djathi

nuk ta prish aspak gjumin ende je fjetur

ikin e vijnë yje zemrës përherë të etur

VI gjysmë hije

ikin e vijnë yje zemrës përherë të etur

e kot e pres të del e plotë hëna në afërsi

qielli është i turbullt e sillet etjes në gji

prek gjysmë hijen e nis të shkruaj letër

prapë vjen pulëbardha në frëngji e ik

rrah krahët në valë më asnjë lajm për ty

kaq i gurtë unë pres urime për vitin e ri

e vetmia me sy në hënë me pret thikë

diçka e zgjon shpirtin e prapë zbrazësi

pupla zogu pezull enden mbi `i  beden

vala ndjek valën zgjuar zallit me refren

e bëj shqiponjën me shuplaka mbi gji

e më zgjohet frymës ajo ëndrra e vjetër

petriti pikëqiellit ngrinë gjysmë fjetur

VII ngrirë mbi dumnicë

petriti pikëqiellit ngrinë gjysmë i fjetur

ti je afërsia ime e largësisë gjithë jetën

ec rreth e rreth në mendim zgjoj kënetën

e zemra trokon me kaq ritëm të vjetër

ajo që shihet gjithnjë s`është e njëjtë kot

mes të ikurës të tashmes të ardhshmes

derdh pikës së gjakut hi i të ngjashmes

dhembjen për ty sonte e shpreh me lot

dridhet toka e çahet qielli përmes meje

ylli i mëngjesit ka ngrirë mbi dumnicë

vetmisë mbi asfodela pëlcet gjarpër reje

hija e nënës më sjell tambël me kalanicë

oh ky peizazh i vdekur në një pikë gjak

është ëndrra ajo e përvjedhur në çardak

VIII uji me kripë

është ëndrra ajo e përvjedhur në çardak

e flatrojnë zogjtë nga pjeshka në pjeshkë

kujtoj gjyshin nën tym duhani e eshkë

s` shkrep bricë më në uror veç çakmak

ah ja dhe unë ç` të rrëfej tashmë ty zot

e ora me të ngjashme tingëllima veç ik ik

ka rënë uji i ujëvarës me hov gurit thik`

drejtpeshimin në vig ta ruaj provoj kot

e qaj për gjërat e perënduara qaj me lot

qaj pse me atë rrjedhë ike dhe ti në botë

ngushëllim për ty gjej vetëm në vetmi

dal e zgjoj fushën në të cilën s` ngjet gjë

e lumi shndrit gjithnjë kujtimit asgjë më

rërës përplaset uji me kripë e ik përsëri

IX shkëmbi i gjeranës 

rërës përplaset uji me kripë e ik përsëri

në zall ngelin alga yje e rruaza korali

një guacë një gurë me ngjyrime smeraldi

e dita çel në trëndafil ndër degë ulliri

me duar me lopata ngrehin kala fëmijët

kokë më kokë heqin vallet me zamare

veç unë ndiej dhembje ti s` je aty fare 

ah zanë si t`i vras hijet t`i vras largësitë

çupa e çua hidhen nën muzikë kallami

ti larg brengë largësie shikon tek xhami

e rikujton të lulëzuar gemin e pjeshkës

ec përmes jallisë gjithnjë buzë ujit anës

në përkundje mozaikut të tymit të eshkës

zemra ik me afsh te shkëmb i gjeranës 

X vjen dhe sonte zjarri

zemra ik me afsh te shkëmb i gjeranës 

a të kujtohet zanë iknim detit me varkë

valët i ndiqnim e kthenim  për darkë

me lulëzimin në sy të gemit të thanës

malësinë e largët e mbanim  dry në gji

deti ndërsa përplasej herë herë në qiell

unë ikja në dumnicë e luaja me fyell

tashmë çdo gjë mbeti veç zjarr në hi

ti të shpëtosh kokën diku trete në veri

a thua të përdjeg malli ndopak për mua

a të përplasen lot maraz e etje në krua

natyrisht shpirti të digjet flakë dhe ty

e shpërthejnë ëndrra e përgjakesh në gji

a vjen dhe sonte zjarri i kujtimit vetmi

XI zjarri i kujtimit

a vjen dhe sonte zjarri i kujtimit vetmi

brenda hiri gaca s` shuhet dot me vjet

troku i zemrës ndihet qe paqe a tërmet                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                              

gjaku për mua e ty vjen dhe ik në huti

kotem papirusit në gjakshkrim zjarri

zot kaq e vjetër është çdo shkronjë aty

ja vjen gjakut ngjitet gjakut në gjithësi

i nënshkruar me gisht e rrënjë tullari

poetët e llapit vështirë i flijohen fatit

unë s`i ik vetëtimës së ashtit të besimit

në peizazh ja dru i gjelbër bri të thatit 

e kaq borë ka rënë mbi degët e zgjimit

ta rikrijoj ujit zotin e gurit të gjeranës

natën shfaqet dhe ylli në degë të thanës

XII gjysmë i fjetur

natën shfaqet dhe ylli në degë të thanës

kujtoj qiellin e rrapit përmbi mur sokaku

shikoj në ujë a jem unë vallë ky plaku

me tërfurk në dorë në mbledhje të sanës

eci rreth e rreth ujit në mendim i tretur

fshehtas zë veten në syprinë të liqenit

kallamit prekin nga hëna brirët e drenit

e më djeg mallëngjimi gjysmë i fjetur

për frëngji vjen mbi tryezë tufë e dritës

marr penën bëj përpjekje e shkruaj letër

asgjë të re s`kam të them veç të vjetër

ndjek në ëndërr qiellit lëvizjen e xhitës

mollën pres e më rrëshqet gishtit sojaku

ëndrra pakëz më përpëlit brenda gjaku

XIII brenda gjaku

ëndrra pakëz më përpëlit brenda gjaku

ec rreth liqeni e mendja tretë në rugovë

ikën vjet e nuk u kthyem në kosovë

veç mall për vjellje tymi nga oxhaku

tashmë ka marrë e lidhen ditët me lirinë

kanë zënë të mbarën rrjedha pa ngecje

ti hesht buzëqesh me shtrirje ndër ecje

hapësira lidhur me ty shpreh thellësinë

thellësi ka vetëm në dumnicë e te liqeni

thellësi ka vetëm ndër lule të xhenetit

thellësi ka vetëm udhës nga zbret dreni

ka natyrisht dhe ndonjë thellësi urtaku

ti nuk e heton ndërsa ec udhët e kurbetit 

në vete ende ndez dashuri për ty plaku

XIV zbres prapë me trëndafila

në vete ende ndez dashuri për ty plaku

me krejt rrënjët e trungjet e degët e ullirit

ende nxjerr rrufenë e ëndrrës prej hirit

gjithnjë ndez pranverë e zjarr lulegjaku

e natyrisht gjithmonë për vdekje të dua

e i ngjes shkallët e amshuara të ëndrrës

e zbres prapë me trëndafila zhgjëndrrës

e gjaku digjet e uji i bekuar pik në krua

s`mend të lidhet përherë zjarri e zjarri

e dashuria nuk vdes kurrë është e gurtë

zog i qiellit të pafund në flatrim tullari

mbetet kujtimi dhe ajo që të mban gjallë

gjithë të ndiesh etje të ndiesh dhe mall

dardha ka bisht s` është veç fjalë e urtë

magjistrali

dardha ka bisht s` është veç fjalë e urtë

a ka dardha bisht është gjë kaq e mpirë

shikimi veç e ndez enigmën e vështirë

ura i afron brigjet e i lidh në mur gurtë

riviera ngjet në lëvizje fryme në oxhak

ikin e vijnë yje zemrës përherë të etur

petriti në pikë qiell ngrinë gjysmë fjetur

është ëndrra ajo e përvjedhur në çardak

rërës përplaset uji me kripë e ik përsëri

zemra trokon e shfaqet shkëmbi i gjerës 

a vjen dhe sonte zjarri i kujtimit në hi

natën shfaqet dhe ylli në degë të thanës

ëndrra pakëz më përpëlit brenda gjaku

në vete ende  ndez dashuri për ty plaku

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat