Cikël me poezi

Kultura

Cikël me poezi

Nga: Emine S. Hoti Më: 8 janar 2019 Në ora: 08:17
Emine S. Hoti

Të dashur prindër!

Të dashur prindërit e mi!

Ju shkruaj nga mërgimi,

Ju dëshiroj shëndet,

Ju dua me gjithë zemër,

Mendja tek ju më rri,

Për mua jeni të çmuar,

Jeni prindërit më të mirë,

Sot dhe gjithnjë.

Nëna

Nënë jam mërzitur,

Më ka marr malli,

Të isha dhe njëherë foshnjë,

Të të puthja te balli.

Nënë dua të jem,

Dhe një herë në prehrin  tënd,

Të dua shumë e të kujtojë,

Të mendoj shumë, o nënë!

U rritëm me ngrohtësinë që na dhuruat,

Na ushqyet ëmbëlsisht gjithë fëmijërinë,

Ju dua me shpirt, ty nënë dhe babin,

Doja dhe gjyshërit si ardhmërinë.

Mërgimi

Ah, mërgim, mërgim!

Në ty dhe unë jetoj,

Qetësi n`shpirt kurrë s`kam ndjerë,

Nëse jam gjallë këtë dua t`kuptojë.

Sytë nuk kanë dritë,

Porsi në mjegull shikoj,

Para syve më shfaqet vendlindja,

 Me atë ushqehem, me atë çdo ditë jetoj.

Jetoj e shikoj “atdheun” e ri,

Ka jetë e plot gjallëri,

Por bukë e kripë e lumturi,

 S`i gjejë askund si në Arbri.

Çfarë je?

“Zonjë” a “zotëri” bëhet njeriu n`çast,

Merr një kapele e këpucë të shtrenjta,

Përdor fjalë të huaja e sjellje delikate,

Pallto të gjatë, syze e xhingla të tjera.

Ohu! Kush qenka ky njeri, sa i lart qenka!?

Pamjen e paska goxha,duket me rëndësi,

Kap qiellin me dorë, shfaqet dhe modern,

Thua është ndonjë lider a udhëheqës i ri?

Shpejt kuptojnë se është pemë pa kokrra,

Është si shkretëtirë, pa fantazi e mendim,

Ndonëse ngre zërin, flet fjalë bombastike,

Liqen pa ujë, krejt i thatë nga stina n`stinë.

Thjeshtësia është shfaqje e karakterit,

Prandaj, o njeri sa më i thjeshtë në jetë,

Koha dhe veprimi të provojnë çdo ditë,

Je çelik special apo hekur q`thyhet lehtë.

Kurrë

Me gjitha forcat, shumë do të punojë,

Aty ku gjendem sot dhe ku jetoj,

Për padrejtësitë që i bëhen vendit tim,

Do ta ngre zërin deri në amshim,

Edhe gjuhën nëse ma shkurtojnë,

Nga kjo rrugë kurrë s`mund t`më largojnë!

Pranverë

Zogjtë cicërojnë nëpër degët e pemëve,

Bari rritet det, qengjat e vegjël blegërijnë,

Vashat mbledhin lule, e ëmbël këndojnë,

Bariu te faqja  e malit me fyell i shoqëron.

Dielli lëshon rreze, buzëqesh, natyra gëzon...

Buzëqeshja

Buzëqeshja jep shpresë,

Të ngroh shpirtin,

Të nxit,

Të çlodh e të freskon, 

Një buzëqeshje, edhe  në heshtje ka vlerë...
 

Gratë

O ju gra të shtrenjta jeni,

Shpërndani jetë  e mirësi,

Kudo ju lini gjurmë të arta,

Ju urojmë: dita njëmijë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat