Poezia është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit

Kultura

Poezia është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 20 janar 2019 Në ora: 12:28
Dan Kosumi

Njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare që digjet për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me ndjeshmëri, si dhe ndaj fjalës dhe hijeshisë së saj, është Dan Kosumi. Në këtë kontekst, duke shfletuar librin e tij “Nusja e ujërave” që e pa dritën e botimit në gjuhën shqipe dhe atë rumune, konstatojmë se poezia është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me dritë dhe emocion.

Dan Kosumi u lind më 1966, në fshatin Tugjec, komuna e Dardanës. Mësimet e para dhe të mesme i kreu në Dardanë. Rrjedh nga një familje atdhetare. U rrit dhe edukua sipas traditës së Malësisë së Gollakut me dashurinë për atdheun, lënë amanet nga të parët e tij. Gjatë kohës sa ishte nxënës në gjimnazin "9 Maji", sot “Ismail Qemali” në Dardanë, Dan Kosumi bie në sy të pushtuesve serbë për aktivitetin i tij në lëvizjen patriotike, disa herë është thirrur në Sekretariatin e Punëve të Brendshme. Aty, kohë pas kohe, është mbajtur i mbyllur me ditë të tëra, duke përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Disa herë u largua dhe pranua sërish në shkollë, nën argumentin se organizonte lëvizje zgjimi për popullin e vetë kosovar, derisa në vitin e fundit u përjashtua nga shkolla pa të drejtë kthimi: "Veprimtari armiqësore, si nacionalist e irredentist", ky ishte motivi i largimit.

Pasi mbaroi vitin e fundit në Prishtinë, regjistrohet në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, drejtimi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Edhe në këtë kohë, lëvizja e tij bie në sy të sigurimit shtetëror jugosllav dhe për këtë arrestohet dhe burgoset disa herë, ku vuan dënimet prej disa muajve si në Gjilan, Prishtinë dhe Gurrakoc, ku keqtrajtohet rëndë. Duke parë gjendjen e rëndë ekonomike familjare dhe pamundësinë për të vijuar studimet, Dan Kosumi mërgon në Zvicër për tre vjet dhe më pas në Austri, ku jeton dhe punon edhe sot. Gjatë kohë së luftës në Kosovë, si anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, me shumë shokë nga të gjitha trevat shqiptare vihet në shërbim të luftës, duke mos kursyer as djersën, as paranë, si bashkorganizator i demonstratave në Vjenë e Linz, ishte zëri i fondit të UÇK-së, "Vendlindja thërret", ku deri në fund i shërbeu dhe kontribuoi me nder.

Letërsia ka qenë pjesë e pandarë e Kosumit, qysh në bankat e shkollës, ku prioritet merrte krijimtaria letrare, megjithëse asnjëherë nuk iu botuan në fletushkën e shkollës, sepse censurohej nga organet e sigurimit të kohës. Gjatë arrestimeve dhe bastisjeve që i janë bërë shtëpisë së tij, disa herë me radhë i janë marrë shumë materiale e dorëshkrime, si: poezi e prozë, të cilat nuk i janë kthyer kurrë pas. Gjatë gjithë kohës ka qenë dhe është aktiv në promovimin e kulturës, vlerave dhe traditës shqiptare në Austri, Gjermani, Zvicër etj. ku përmes shoqatave, klubeve dhe bashkësive shqiptare, suksesshëm është paraqitur me punimet tij para publikut tonë dhe atij të huaj.

Krijimtarinë e tij letrare e ka publikuar në libra, antologji, revista, rrjetet e ndryshme përmes internetit dhe mediave të tjera elektronike. Është përfaqësuar në Revisten letrare kulturore "PELEGRIN" qe botohet nga Klubi i Shkrimtareve Shqiptar në Botë, me seli ne Athinë të Greqisë, në botimin "ILLYRICUM" (vëllim i Shoqatës Kulturore "Aleksandër Moisiu", Vjenë).  Libri poetik “…dhe vjen një ditë…” është libri i tij i parë, pastaj "Malli i dashurisë" ((poezi). Është përfaqësuar edhe në Antologjinë e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani që bëhet për nder të 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ka në proces edhe punime tjera, si: Poezi, Prozë dhe një Roman. Autori ka në proces librin publicistik "Revolucioni i 1981, qëndrimi i klasës politike dhe Intelektuale"!

Dan Kosumi është: Ish Kryetar i SHKSHZ / Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër ku jeton dhe vepron; Nënkryetar i LKSHM / Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë / Botë; Anëtar i LSHK / Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës; Anëtar Nderi dhe bashkëthemelues i LSHKSHA / Lidhjes Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri; Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve „Naim Frashëri“ në Fushë Kosovë; Koordinator për Evropë i Shoqatës Shqiptare të Muhaxhirëve Mbarëkombëtar me seli në Prishtinë. “Nusja e ujërave” (vëllim bilingv shqip-rumanisht), është libri i tij i tretë që e pa dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë. Në vazhdim po japim disa nga vargjet e tij që reflektojnë dashuri, atdhedashuri, sensibilitet dhe origjinalitet.

ME ZEMËR FLASIN POETËT

Ata flasin gjuhën e bilbilit,

me lulet, mëngjeset, dritën.

Ata flasin edhe kur heshtin…

Me zemër flasin poetët.

Ata besojnë në dashuri…

Fjalëmjaltë si pikëz floriri,

pikëlot si ëndrra të mëndafshta.

Poet,

ti që digjesh në zjarr e dhimbje si pisha,

që derdhesh në grimca ditësishë,

ti që lind me fjalën e endesh fjalës,

dritëhije çmuese, vetëtimë stuhish…

Ju pashë!

U pamë e sërish u pamë,

sa herë shqipja gjak lëngonte,

pena juaj fliste,

u këndonte pushka

flakë baruti.

Ju thurnit këngën, ëndrrën e Lirisë.

Eh, poet,

ti që kuvendon ethshëm me bjeshkët,

me legjendat nëpër shekuj,

“me të gjallët” që lirisë i falën jetën.

Sa të ëmbla tingëllojnë fjalët tua

të ngrohta si rrezet e diellit,

janë si flladi i valës së detit.

ËNDËRR DASHURIE


Hëna sa lart rri,
e mirë dhe krenare...
Ah, sa lart rri hëna!

Toka sa larg,
natë,

ftohtë...
Ah, sa larg, toka!

Toka do hënën,

...besa-besë...
Hëna do tokën.

PËRKUSHTIM

Si  dy qenie binjake të pandashme,

rrahin zemrat tona, një ritëm,

koha si instrument i akorduar,

ardhmërisë i shtron rrugën.

Me vargjet e mia

do të qëndis fustan për nuse.

Ti  roman që s'lexohesh lehtë,

je më shumë se një milion fjalë.

DASMA E LRISË

Trimat shkrepën pushkët,

për dasmë sofrën shtruan.

Motra përqafon motrën dhe vëllain

dhe nënat bekojnë vatrën.

Stinët mallkojnë vitet…

Sa kohë u bë që lirinë s’e prekja buzësh!

MESAZH ZEMRE

Ti,

aromë që më deh e më vret,

buzë që më grish e më josh,

dëshirë që më ngjall e më vdes,

zemër që më ndjell e lëndon...

Kjo anatomi mban emrin tënd…

Të dua deri tek e pakufishmja,

në limite të palimituara!

TI

Ti erdhe si rreze dielli dhe ngrohe shpirtin tim,

netëve pa gjumë më erdhe si engjëll,

më zgjove mëngjeset plot dëshirë për jetë.

U bëre muza ime,

vargu në këngët e mia.

Ti linde në secilën fjalë...

Ti...

Ah, ti që më çmend me vrap lëndine!

Ti u bëre dielli i ditëve të mia...

Ti je dashuria vetë...

BESOJ NË DASHURI

1. Vetmia

Të kërkoj, por ti s’je.

Të thërras,

por ti s’më ndien.

Më vjen në ëndërr,

më ikën zhgjëndërr.

A thua do shihemi sërish?

2. Malli

I mbyll sytë

e përfytyrimi im bëhesh ti.

I hap sytë

e të shoh si burimi me ujin e kristaltë…

I mbyll sytë,

ti nuk je….

Sytë i hap përsëri.

… Nuk ekzistokam… 

3. Të dua

Kur loti nis e flet,

ti më ngushëllon.

Kur jam vetëm e kam mall,

buzët e tua plagët m’i shërojnë.

Natën më vjen engjëll

me kalë të bardhë shaluar…

Ditën,

engjëll sërish…

Besoj në dashuri se të dua ty…

TË KËRKOVA NË QIELL

Edhe mbrëmë s‘i mbylla sytë,

zgjuar e prita rrezen e parë të dalë,

vrapova tek dritarja, pashë qiejt,

retë shfletova një e nga një...

Kërkoj fytyrën tënde prej engjëlli...

TË PASHË NË ËNDËRR MBRËMË
 

Të erdha në gji, kur ti flije natën vonë,
e dlirtë si Zanë përrallash.


Ah, sa t'kam pritur të më vijë kjo ditë!
S‘po besoja se po prekja
trupin tënd, shtat selvi,
                 sytë e tu, hapësira blu

nëpër buzë të bridhnin ...buzëqeshje...
Buzët e mia etshëm thithin
kodrinat që digjen zjarr.

Unë e ti ëndrrave vrapojmë tinëz...
 

TI


Ti gjëmon si gjëmë sirene
M‘le pa frymë, e herë, më kall’,
“Jepi, vdis po qe nevoja,
eja shpirt, sa kisha mall!”


Më shkrumbon kjo buza jote,
tretem, hidhem mbi nektar,
a s’më sheh, moj perëndi,
zemrën epshi po ma ndal’...
 

NJË VARG PËR DASHURINË

Një varg shkruajta për dashurinë...

...erdhi ma vodhi era....

NËSE NJË DITË...

Nëse një ditë të paditë
do endem nëpër botë
pa më thirrur e pritur asnjeri,

nëse një natë të panatë
bashkë me çmendurinë time
rrugëve do bredh i paemër, 
e pa adresë...
 

vdekje do më jesh bërë Ti.

DEHJE E ËMBËL

Zbret ndër ne kur s‘e presim,

na vjen prej qielli

a hapësira të panjohura,

shkrëptimë që vret ëmbël...

në çdo hapje-mbyllje sysh,

zemrat na i pushton,

ajër pa të cilin s’jetojmë dot...

FLOKËGËRSHETËZA IME LOZONJARE

Lëndinës ku u derdhëm,

trupi yt aromë pranverash,

sumbull‘ vese buzët e mia,

fllad i shpirtit puthja jote,

moj...

gjarpërushja ime,

flokëgërshetëz lozonjare...

STINËT SHQIPTARE

1. Pranvera

Nis e kuvendon me zanat, pranvera.

Motrën kurrë s’e njoha,

as hijen kurrë s’ia pashë,

luletrëndafilat s’i mbajnë erë.

Kam mall ta puth një herë

të mirën pranverë!

2. Vera

Ujët e detit e vlon vera…

S’di pse me valën e Jonit kurrë s’u laga!

S’di si mban atje vapa,

s’di si perëndon dielli.

Motrën duke pritur te dera,

u thava unë e mjera, vera! 

3. Vjeshta

Po vjeshta, është si unë?

Atje ka pemë të tjera,

rigon shiu në fusha.

Çfarë drurësh ka në male,

pse kurrë s’i pashë e shkreta?

- plot mall pyet vjeshta.

4. Dimri

Dimër, o i bardhi dimër,

sa gjatë të prita!

Më solle dëborën, të parën bardhësi.

Ti më sjell ngricën dhe acarin.

…Rrëmbimthi erdha,

unë, dimri…  

(Fragment nga libri ”Mireasa apelor-Nusja e ujërave”,

Amanda Edit, Bukuresht 2018)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat